Cana: Hovenier demantoi propagandën e Kurtit

Prishtinë | 16 Shk 2024 | 18:53 | Nga Ekonomia Online

Edon Cana, ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari ka thënë se ambasadori amerikan, Jeff Hovenier me deklaratën e tij se me çështja e dinarit ka ndikuar në partneritetin Kosovë -ShBA ka demantuar “propagandën e kryeministrit, Albin Kurti”.

Në emisionin “FIVE”, ish-ambasadori ka thënë se ShBA-ja është e angazhuar kundër propagandës së Kurtit, pasi sipas tij, ai kishte deklaruar se raportet janë të mira edhe pas deklaratës së James O’Brien.

“ShBA është e angazhuar kundër propagandës së Kurtit, rasti konkret ishte ai i Hovenierit, pasi Kurti kishte deklaruar pas O’Brien-it se raportet janë të mira”, ka deklaruar Cana.

Sipas tij, situata nga shqetësuese që nga çështja e targava, kryetarëve në veri e deri tek dinari tashmë ka kaluar në alarmante.

Ndryshe, dje, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka ripërsëritur qëndrimin se janë luhatur raportet ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës pas vendimit të Bankës Qendrore për dinarin serb.

Ambasadori Hovenier tha se SHBA-ja nuk mund ta konsiderojë partnere Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, nëse kjo e fundit nuk iu përgjigjet shqetësimeve amerikane.

Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë u bënë një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

Të ngjashme