Kryeministrin Isa Mustafa, por edhe partnerit e tij PDK-në, i ka kapluar paniku i humbjes së pushtetit, andaj po bëjnë përpjekjet e fundit për ta hequr demarkacionin si kusht për liberalizimin e vizave.
Kështu ka thënë për Ekonomia Online, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, Driton Çaushi, i cili mendon se vënia e demarkacionit si kusht për liberalizim është bërë me kërkesë të Qeverisë.
“Asnjëherë nga zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk e kanë mohuar faktin se ideja e demarkacionit si kusht për liberalizim ka ardhur si kërkesë e Qeverisë së Kosovës. Pra të njëjtit njerëz që kanë kërkuar këtë kusht për liberalizimin e vizave tani bëjnë përpjekje për ta larguar të njëjtin kusht. Kjo mendoj se shpërfaq në mënyrën më të mirë panikun në këtë rast të Isa Mustafës, por në përgjithësi edhe të gjithë pushtetit të dy partive në pushtet nga mundësia e humbjes së pushtetit”, ka thënë ai.
Çaushi ka thënë se dy subjektet politike që udhëheqin me vendin kanë ardhur në pushtet me premtime shumë të mëdha për përmirësimin e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa shton se po ju përfundon mandati me dy marrëveshje në raport me Serbinë dhe Malin e Zi dhe asnjë dobi për qytetarët.
“Rënia e tyre ose përfundimi i mandatit të këtij pushteti do të ishte lajm i mirë për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës dhe mendojmë se përfundimisht çdo ditë e më tepër me këtë qeveri në pushtet është një ditë e humbur për qytetarin e Republikës së Kosovës dhe mundësinë ose potencialin për zhvillim të kësaj republike”, ka thënë ai.
Ai ka bërë të ditur se versioni aktual i Demarkacioni është i papranueshëm për Vetëvendosjen dhe se kurdo që tentohet të hedhet në votim do ta kundërshtojnë ashpër.
“Nuk ka asnjë arsye që qasja jonë të ndryshojë përkundrazi ne jemi më të vendosur se asnjëherë më parë që të kundërshtojmë me çdo mënyrë të mundshme miratimin e një marrëveshje të tillë, pra përderisa nuk ka ndryshim të rrethanave nuk ka as ndryshim të pozicionit të opozitës”, ka përfunduar ai.