Ministria e Brendshme e Austrisë ka publikuar një raport në lidhje me situatën e Covid -19. Në disa faqe të këtij raporti tregohen vendet nga të cilat aktualisht importohen shumica e rasteve me korona në Austri.
Sipas këtij raporti, pothuajse çdo i treti infeksion i ri i importuar në Austri ka prejardhjen nga vendet e Ballkanit.
Austria aktualisht po regjistron numra të rinj rekord të infeksionit. Ditën e enjte janë raportuar më shumë se 43 mijë raste të reja, që përbën edhe numrin e rasteve më të larta të shënuar gjatë pandemisë në Austri, raporton heute.at, ndërkohë, numri i infeksioneve të reja të importuara po bie.
Nga gjitha shtetet e Ballkanit, Bosnjë e Hercegovina kryeson listën me 1,611 raste të reja. E ndjekur nga Serbia me rreth 959 raste, Hungaria vjen e treta me 748 raste. Në këtë listë gjendet edhe Kosova, por nuk është në shtetet që përbëjnë numrin më të lartë të rasteve të importuara në Austri.
Qeveria austriake ka reaguar me masa të reja kundër koronës. Prandaj, nga data 1 shkurt do të ndryshojë periudha e vlefshmërisë së certifikatave të vaksinimit. Dy vaksinime ose një vaksinim dhe i rikuperuar nga virusi, janë të vlefshme vetëm për 180 ditë (gjashtë muaj). Ndërsa, certifikata e vaksinimit e përbërë prej tre vaksinave apo dy vaksina dhe një rikuperim mbetet e vlefshme për 270 ditë (nëntë muaj).