Çeku: FSK-së t’i jepet rol mbrojtës, Serbia mund të na befasojë

Prishtinë | 17 Jan 2017 | 11:00 | Nga

Ndalja trenit serb me figura kishtare e nacionaliste, (dhuratë nga Rusia) i cili ishte nisur nga Beogradi për në veri të Mitrovicës, ka nxitur reagime të shumta në Kosovë e Serbi. Madje, të ashpra dhe kërcënuese ishin nga presidenti, Tomislav Nikoliq si dhe kryeministri, Aleksandër Vuçiq.

Si mbrojte për serbët që jetojnë në Kosovë ata përmendën futjen e ushtrisë si dhe përdorimin e armëve. Këto kërcënime po del të jenë serioze, sipas ish- komandanti të FSK-së, njëherësh deputetit të PDK-së, Agim Çeku.

Në një prononcim për “Indeksonline”, ai ka theksuar se Republika e Kosovës duhet të marr masa ndaj parandalimit të ndonjë sulmi eventual.

“Deklaratat e tyre janë kërcënim për sigurinë. Institucionet e Kosovës duhet t’i marrin seriozisht që ta parandalojnë çdo lloj befasie. Njëra prej masave çka duhet të merret me urgjencë është transformimi i FSK-së apo jepja e kompetencave për mbrojte apo rolit mbrojtës”, është shprehur ai.

Çeku thotë se janë disa forma për transformimin në Forca të Armatosura (FAK).

“Ne nuk guxojmë që të mbesim peng i 4-5 deputetëve që Kosova mos të ecë përpara dhe duhet të gjinden mënyra të ndryshme. Të ndryshohet vetëm ligji për FSK-në dhe të bëhet një ligj i ri për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka thënë ai.

Ndryshe, presidenti Nikoliq kishte deklaruar se si komandant suprem i forcave të armatosura është i gatshëm që, nëse jetët e serbëve në Kosovë rrezikohen, t’i nisë forcat e Serbisë në Kosovë.

“Derisa të jem në këtë funksion do të përpiqem që të mos luftoj me askënd. Nëse kjo do të jetë e pamundur, do të përpiqem si komandant suprem, ta marr përgjegjësinë për vendimet e mia”, deklaroi ai.

Ndërsa kryeministri serb, Vuçiq tha se hapat të cilët i ka ndërmarrë Prishtina, në siç e ka quajtur ai, rihapjen e linjës hekurudhore nga Beogradi në Mitrovicë, kanë provokuar një konflikt të hapur në Ballkanin Perëndimor.

“Shqiptarët e Kosovës dhe Metohisë as mos ta mendojnë që t’i kthejnë armët drejt serbëve, sepse Serbia nuk do ta lejojë këtë”, ishte shprehur i pari i Qeverisë së Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme