Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj, priti në takim, dr. Alona Fisher Kamm, Ambasadoren e Izraelit në Beograd, dhe me këtë rast diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit me interes të përbashkët. Ai propozoi hapjen e zyrave respektive për biznes dhe kulturë në Kosovë dhe Izrael.
Siç njofton kumtesa për media, Çelaj theksoi se vizita e tij në Izrael, para disa muajve, ishte rast të shohë të arriturat që do të mund të ishin me perspektivë dhe interes të dyanshëm në fushën e Arsimit dhe Inovacionit.
“Izraeli mund të jetë model shumë i mirë për Kosovën se si një shtet i ri mund të zhvillohet”, ka thënë ndër tjera Çelaj.
“Ne kemi fusha të shumta për bashkëpunim, në rend të parë për këmbimin e studentëve dhe të rinjve tanë në programe dhe projekte si në fushën e inovacionit, teknologji, në edukim dhe ndërmarrësi si dhe investime në agro industri”, potencoi Çelaj dhe shtoi se do të ishte e mirëseardhur hapja e zyrave respektive për bashkëpunim në biznes dhe kulturë në Izrael dhe në Kosovë duke thënë se nuk ka formë më të mirë të përafrimit mes dy shteteve se sa biznesi dhe kultura.
Ambasadorja izraelite Fisher Kamm, vlerësoi se ka vend dhe gatishmëri për bashkëpunim, në shumë fusha, ngritjen e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve, me fokus në inovacion, ndërmarrësi, në shëndetësi, edukim dhe qendrat e ekselencës, edukimin për personat me nevoja të veçanta dhe fushat tjera. Ambasadorja Alona Fisher Kamm, vlerësoi se mund të bëhet edhe këmbimi i studentëve, stafit profesional dhe akademik, duke theksuar se Izraeli ka interesim për bashkëpunim me tërë vendet e rajonit.
Ajo e vlerësoi se klima e të bërit biznes në Kosovë është e mirë dhe pret që komuniteti i biznesit mund të ofroj përvojat dhe mundësitë me interes të përbashkët.
Zv/ministri Çelaj dhe Ambasadorja Fisher Kamm, u dakorduan se ka vend për thellimin e bashkëpunimit duke shprehur edhe vullnet për intensifikimin e takimeve ndërmjet dy shteteve.