Certifikohet Air Albania, destinacionet ku do të mund të fluturoni me linjën shqiptare

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 09:36 | Nga Ekonomia Online

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Shqipërisë ka lëshuar certifikatën e operimit për kompaninë ajrore Air Albania.

Drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, në një deklaratë për mediat ka theksuar se ky hap është finalizimi i një procesi intensiv dhe rigoroz të certifikimit të një kompanie ajrore shqiptare, sipas tij, për kryerjen e operimeve komplekse të transportit të sigurt të pasagjerëve.

Ky institucion ka njoftuar se me plotësimin e dokumentacionit dhe përfundimin e inspektimit fizik, avioni Airbus A319-132 me numër serie 3142, u regjistrua në regjistrin shqiptar të avionëve civilë, me shenjën e regjistrimit dhe atë kombëtare ZA-BEL.

“Fluturimet do të fillojnë me destinacion aeroportin e ri të Stambollit, ndërkohë kompania ka deklaruar se është në pritje të avionit të dytë që do të ketë synim destinacionet evropiane. Sa i përket fluturimeve, kompania ka thënë se do të jenë në disa aeroporte në Romë, Milano, Bolognia dhe Londër. Futja e Air Albania ka si synim aspekte pozitive, si ulja e çmimit të biletave, si një alternativë më e mirë dhe më e lirë duke ofruar destinacione ku jetojnë shqiptarët”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil.

Gjithashtu theksohet se për procesin e certifikimit janë ndjekur të gjitha procedurat që ndiqen në çdo vend të Bashkimit Evropian (BE).

Kujtojmë se procesi për krijimin e kompanisë kombëtare të fluturimeve të Shqipërisë, Air Albania, është realizuar në partneritet me Turkish Airlines, ndërsa është inauguruar në shtator të vitit 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme