Turkish Airlines 49 % të aksioneve në Air Albania

Prishtinë | 15 Sht 2018 | 19:52 | Nga

Qeveria shqiptare miratoi një marrëveshje mes tre kompanive për krijimin e kompanisë ajrore Air Albania. Marrëveshja thotë se tre aksionerët do të kontribuojnë bashkërisht për një kapital prej 800 eurosh dhe do të mbulojnë shpenzime operative deri në 200 mijë USD.

Një marrëveshje trepalëshe e miratuar nga qeveria shqiptare më 11 shtator dhe e botuar në Fletoren Zyrtare të mërkurën, i hap rrugën themelimit të kompanisë Air Albania, e cila, sipas qeverisë, do të fillojë së shpejti fluturimet ajrore nga Aeroporti i Rinasit.

Marrëveshja thotë se Air Albania do të jetë nën pronësi të Turkish Airlines, 49%, kompanisë shtetërore të kontrollit ajror Albcontroll 10% dhe të kompanisë së themeluar në Vlorë MDN Investment në masën 41%. Kompania, sipas vendimit, do të ketë një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh (rreth 800 euro), ndërsa të tre partnerët angazhohen të financojnë shoqërinë brenda pesë ditësh nga themelimi në masën 200 mijë USD.

Marrëveshja i jep gjithashtu kompanisë turke Turkish Airlines fuqi disproporcionale administrimi në krahasim me kuotat e aksioneve që disponon ndërsa i jep të drejtën që të propozojë administratorin, i cili duhet të miratohet nga asambleja e aksionerëve. E drejta e propozimit i takon aksionerit turk që ka 49% të aksioneve, pavarësisht se dy aksionerët e tjerë kontrollojnë shumicën e thjeshtë prej 51% të aksioneve sëbashku.

Administratori i parë i shoqërisë, sipas marrëveshjes së miratuar, do të jetë shtetasi turk Sinan Dilek.

Kryeministri Edi Rama shpalli në mars të këtij viti se Air Albania do të fillonte fluturimet në verën e këtij viti.

Ortaku shqiptar i “Air Albania” premton fluturime brenda verës

Por marrëveshja e arritur në shtator thotë se kompania nuk do të fillojë operacionet menjëherë, por do të duhet të arrijë dy marrëveshje të tjera brenda dy muajve të ardhshëm.

“Palët bien dakord të financojnë shoqërinë në proporcion me përqindjet takuese një vlerë totale prej 200.000 USD brenda pesë ditëve nga data e themelimit, për të mbuluar kostot e operimit të shoqërisë,” thuhet në marrëveshje. “Për të shmangur keqkuptimet, Air Albania nuk do të fillojë fluturimet deri në hyrjen në fuqi të dokumentave të referuara në nenin 27.2 të kësaj Marrëveshjeje,” shkruhet në marrëveshje, pa shpjeguar se çfarë keqkuptimesh bëhet fjalë.

Neni 27.2 thotë se palët do të ndryshojnë marrëveshjen përmes dy dokumenteve të tjerë, ndërsa Këshilli i Ministrave duhet të miratojë këto dy dokumente brenda 60 ditëve.

Marrëveshja thotë gjithashtu se nëse “MDN nuk përmbush detyrimet e saj sipas kësaj marrëveshjeje… Këshilli i Ministrave do të zëvendësojë MDN me një ortak të ri të pranuar nga Turkish Airlines”. Nuk është e qartë se pse marrëveshja paragjykon mundësinë që MDN të mos përmbushë detyrimet e saj. MDN u themelua në Vlorë më 3 maj 2018. Aksioneri i saj fillestar, Sinan Idrizi, ka kryer deri tani disa transaksione shit-blerjeje kuotash ndërsa aktualisht kompania zotërohet përgjysmë nga Najada Idrizi dhe Rejana Idrizi ndërkohë që Sinan Idrizi është administrator i saj.

Në korrik, Idrizi shiti 77% të kuotave për 77 mijë euro te Rejana Idrizi, Najada Idrizi dhe Ron Yeffet. Por në 23 gusht, Idrizi dhe Ron Yeffet shitën kuotat e tyre te Rejana dhe Najada Idrizi për 46 mijë euro. Vlera e transaksioneve është e barabartë me kuotën  e kapitalit aksioner të përcaktuar në aktin e themelimit të MDN Investment.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme