Një koalicion prej 16 shtetesh amerikane, i udhëhequr nga Kalifornia, paditi administratën e presidentit Donald Trump për vendimin për të shpallur emergjencë kombëtare, me qëllim mbledhjen e fondeve për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.
Trump e shpalli emergjencën kombëtare të premten, duke anashkaluar Kongresin, pasi ky i fundit refuzoi të miratojë 5.7 miliardë dollarët e kërkuar për murin.
Njoftimi i presidentit erdhi pasi ai e nënshkroi një ligj të shpenzimeve, duke shmangur një mbyllje tjetër të qeverisë, por që i siguroi atij vetëm 1.3 miliard dollarë për barriera të reja në kufi.
Demokratët kundërshtojnë të financojnë murin, për të cilin Trump thotë se do të pengonte hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në SHBA.
Shtetet që ngrenë padinë thanë se duan të bllokojnë “keqpërdorimin e pushtetit presidencial” nga ana e Trumpit.
Padia kërkon një vendim gjyqësor që do ta ndalonte Trumpin të vepronte në gjendje emergjente, derisa beteja ligjore të zhvillohet në gjykata, raporton Washington Post.
“Po e padisim presidentin Trump për ta ndaluar atë që të plaçkitë fondet e tatimpaguesve që ligjërisht janë lënë mënjanë nga Kongresi. Për shumicën prej nesh, zyra e presidencës nuk është një vend për teatër”, tha prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Xavier Becerra.
Padisë së Kalifornisë i janë bashkuar: Kolorado, Konektikat, Dellaver, Havaji, Illinois, Mein, Merillend, Minesota, Nevada, Nju Xhërsi, Nju Meksiko, Nju Jork, Oregon, Virxhinia dhe Miçigen.
Të gjitha ato, pos Merillendit, qeverisen nga demokratët. Sipas tyre, urdhri i presidentit Trump për t’i devijuar fondet do t’iu kushtonte atyre miliona dollarë dhe do t’iu dëmtonte ekonomitë.
Padia u ngrit në gjykatën për Qarkun e Veriut të Kalifornisë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka dalë ende me ndonjë koment. Më herët, presidenti ka thënë se emergjenca kombëtare do t’i mundësojë atij të sigurojë gati 8 miliardë dollarë për murin, edhe pse barriera e gjatë gati 3,200 kilometra, sipas llogaritjeve, do të kushtonte 23 miliardë dollarë.
Trump e ka parashikuar se do të paditet për këtë veprim dhe ka thënë se rasti ka të ngjarë të përfundojë në Gjykatën Supreme.
“Ne do të përballemi me krizën e sigurisë kombëtare në kufirin tonë jugor. Gjithkush e di se muret funksionojnë”, ka thënë Trump.
Kritikët, megjithatë, e kanë akuzuar qeverinë për një “krizë të prodhuar”, duke thënë se pohimet e presidentit rreth situatës janë të pavërteta.
Akti i Emergjencave Kombëtare në SHBA është i menduar për kohë të krizave kombëtare.
Trump ka pohuar se ekziston një krizë emigrantësh në kufirin jugor të SHBA-së, gjë që është hedhur poshtë nga ekspertët e migracionit.