Fjala “integrim” është vendosur në qendër të debatit publik dhe politik për migracionin në Gjermani. Shpesh integrimi kuptohet si përshtatje e të huajve. Por toleranca duhet të mësohet nga të dyja palët, thonë ekspertët.
Në një ditë të bukur maji vitin e kaluar, Policia e Berlinit u thirr në një lagje të kryeqytetit gjerman, në Friedrichshain. “Shkoni ju lutem në parkun popullor Friedrichshain. Këtu disa vetë po nxjerrin nga makina dele të therura, pa lëkurë”, thuhej në regjistrimin e telefonatës së emergjencës që mori Policia e Berlinit dhe që e publikoi në faqen e saj. Në fund doli, se bëhej fjalë për një grup njerëzish, rreth 150 vetë që donin festonin një ditë me zgarë në një park të Berlinit, me 12 dele të vendosura në hell në një zgarë elektrike me bateri. Policia ruajti gjakftohtësinë, sepse organizatorët ishin “kooperativ”, ata e hoqën zgarën, dhe i ngarkuan sërish në makinë delet. Në fund erdhën edhe zjarrfikësit që e shuan zjarrin. Shoqëria e njerëzve që festonin përbëhej nga persona që vinin nga Bosnje-Hercegovina, tha policia, dhe sipas të dhënave të tyre, ata festonin me vonesë festën e Pashkëve.
Kjo histori në fund e padëmshme ndezi një debat të madh në mediat sociale. Shumë vetë shprehën atëherë zemërimin për mënyrën e festimit. “Kulturë e sëmurë”, shkroi një përdorues. Një tjetër shkroi, se “asnjë qytetar normal nuk do e kishte një ide të tillë”. Policia ndërhyri në debat dhe theksoi, se bëhet fjalë vetëm për një shkelje të rregullit publik. Dhe jo sepse, nuk lejohet të bësh zgarë në Parkun Friedrichshain, por sepse zgara lejohet “vetëm në racione që mund t’i mbash në pjatë”, gjë që përjashton mbajtjen në hell të kafshës si të tërë. Ishin këta qytetarë, që donin të festonin dhe shkelën rregullin, thjesht si ata që parkojnë në vendin e gabuar, miq të zhurmshëm në një party, apo persona të paintegruar mirë në Gjermani? Çfarë kërkohet nga njerëzit që vijnë në Gjermani, kur u thuhet, se ata duhet të integrohen? “Ligjet kërkojnë para së gjithash mësimin e gjuhës gjermane, respektimin e rendit liberal demokratik dhe ligjeve të vendit”, thotë Prof. Clemens Kroneberg nga Instituti i Sociologjisë dhe Socialpsikologjisë në Universitetin e Kölnit. Këto janë premisat kryesore për të marrë pjesë në jetën e punës dhe arsimimin e vendit pritës. “E kjo përkon me dëshirën konkrete të të huajve për punë dhe shkollim.”
Toleranca duhet të mësohet
Aftësitë gjuhësore dhe respektimi i ligjeve shihen si gurthemeli i integrimit – këtë e pranojnë të gjithë. Por a mjafton për një të huaj për t’u konsideruar “i mirëintegruar”, kur ai flet gjermanisht dhe respekton ligjet gjermane? Shpesh jo. Histori si ajo e Parkut të Berlinit tregojnë, se në shoqërinë gjermane ka pak konsesus për kriteret që duhet të përmbushin të ardhurit e rinj në Gjermani. Kjo është tipike për shoqëritë pluraliste, thotë Kroneberg, ku ekziston një spektër i gjerë i mendimeve dhe rrymave. “Pranueshmëria e rendit liberal-demokratik është në një masë të caktuar kusht për atë që të jesh tolerant ndaj shumëllojshmërisë së qëndrimeve ndaj vlerave, si për shembull që të tolerosh dhe respektosh qytetarë të besimeve të tjera, që gratë dhe burrat janë të barabartë, pavarësisht, si do ta jetosh jetën tënde.” Dhe kjo tolerancë, thekson sociologu, duhet të mësohet si nga të huajt edhe nga vendasit gjermanë. Prandaj në një shoqëri liberale pluraliste, integrimi nuk është asnjëherë një rrugë njëkalimshe, por edhe një sfidë për të dyja segmentet e popullsisë.
Kjo është zyrtarisht edhe retorika e qeverisë në Gjermani. Integrimi i arrirë, thuhet në faqen e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të thotë “zhvillimi i një qëndrimi të përbashkët, se si duam të jetojmë bashkë në shoqëri”. Imigrimi ka sukses vetëm nëse kuptohet si proces i gjithanshëm. “Ai parashikon edhe gatishmërinë pranuese të shoqërisë së shumicës, si edhe gatishmërinë e të ardhurve që të respektojnë rregullat e vendit dhe të përpiqen për t’u integruar.”
Integrim si „investim për kokat e vendit”
Gjermania ndërkohë duket, se është gati ta shohë veten si vend imigrimi. E ngarkuara e qeverisë gjermane për migrimin, Annete Widmann-Mauz shkruan në një raport të publikuar së fundmi se “Gjermania dhe qytetaret e qytetarët e saj përfitojnë, nëse bazohen tek integrimi. Integrimi është investim për kokat e vendit.” Këtë qeveria gjermane e mbështet me një sërë masash. Në vend ofrohen shumë kurse integrimi, kurse gjuhe, dhe këshillim për migrimin – të gjithë duhet të ndikojnë në integrimin më të mirë të fëmijëve nga familjet e migrantëve. Kroneberg thotë, se “përgjithësisht është bërë shumë por nuk jemi ende në fund.” “Ka shumë për të bërë në drejtim të futjes së pakicave etnike dhe përfaqësimit të tyre në politikë dhe ekonomi.” Po ashtu në shoqërinë gjermane ka pjesë homogjene, edhe shkolla e firma, ku gjermanët me sfond migracioni gati nuk janë të përfaqësuar. “Kemi bërë një studim në shkollat gjermane dhe kemi parë, se veçanërisht në gjimnaze, ku ka pak nxënës me sfond migracioni ka tendenca asimilative. Aty ata pak nxënës me sfond migracioni ndjehen dhe e paraqesin veten shumë më tepër si gjermanë. Kjo nga ana tjetër është e nevojshme që të pranohesh nga gjermanët si bashkënxënës.”
Labirinti i zyrave
Sarah Brandes angazhohet prej vitesh në organizatën „Refugees Welcome Bonn”. Ajo ka arritur në konkluzionin, se vetëdija e gjermanëve si vend imigracioni nuk është krijuar kudo. “Përvoja më negative që kam bërë, kanë qenë autoritetet. Askush nuk i fal aty askujt diçka.” 31 vjeçarja e quan shovinizëm në formë të pastër. “Nëse ndesh në një punonjëse apo punonjës mirëdashës të duket si mrekulli. Kam pasur përvojën, që këta njerëz nuk janë të interesuar të flasin as edhe një fjalë anglisht, apo të lëvizin 1 cm.” Për Brandes burokracia gjermane është pengesa më e madhe për njerëzit që vijnë në Gjermani që të jetojnë e punojnë në këtë vend.”
Annette Widmann-Mauz (CDU) është e bindur se Gjermania ka bërë megjithatë përparime vitet e fundit. Ajo sheh nevojën në arsimimin e migrantëve dhe kritikon ashpërsimin e tonit në debatin për migracionin dhe integrimin. “Kufijtë e asaj që mund të thuhet kanë lëvizurë, thotë ajo.
Polarizim i shoqërisë gjermane
Clemens Kroneberg e shpjegon këtë me polarizimin e shoqërisë. Nuk ka më shumë njerëz në Gjermani që janë armiqësorë ndaj të huajve. Përkundrazi: Mes viteve 2014-2017 ka pasur një rritje të lehtë (nga 30 në 39%) të atyre që thonë, se kanë ndjenja pozitive ndaj të huajve jo nga vendet e BE. “Por ajo pjesë e popullsisë që mban qëndrim armiqësor kundrejt të huajve ka marrë një përfaqësim tjetër politik dhe është më shumë në qendër të diskursit.”
Sipas ekspertit, integrimi është shumë më i vështirë për ato grupe, që përceptohen që larg si të huaj. “Edhe nëse e flas gjuhën shumë mirë, edhe nëse nuk identifikohem aspak me vendin origjinë, e nuk do ta flisja më gjuhën e vendit të prejardhjes, unë kategorizohem si i huaj për shkak të pamjes dhe nuk pranohem prej disave.” Përvojat zhgënjyese të personave të prekur tregojnë, se në Gjermani është shumë më e vështirë të jesh pjesë e vendit se në Kanada apo SHBA, vende, ku sfondi i migracionit bën pjesë edhe në konstituimin e kombit. Në Gjemani vërtet duhet ende kohë për këtë përcaktim, por realiteti është tjetër, thotë Kroneberg. Çdi i katërti banor në Gjermani ka ndërkohë sfond migracioni. Dhe më shumë se gjysma e tyre ka nënshtetësinë gjermane./DW