Çfarë duhet të dimë për variantin Delta të Covid-19 që është identifikuar në Kosovë

Prishtinë | 30 Qer 2021 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Varianti Delta i COVID-19 është përhapur me shpejtësi në Indi, SHBA e Britani, ndërsa pas lehtësimit të masave, vlerësohet se rrezikon Evropën. Ky varian është identifikuar tashmë edhe në Kosovë, raporton Gazeta Express.

Dy raste me variantin Delta të COVID-19 janë identifikuar në Kosovë.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur dje se të dy këto raste tashmë janë shëruar.

Por sa është i rrezikshëm ky variant, sidomos në kohën kur shtete të shumta, përfshirë këtu edhe Kosovën, kanë liruar masat mbrojtëse ndaj COVID-19?

Varianti Delta i COVID-19 është identifikuar për herë të parë në muajin prill në Indi.

Tashmë ky variant është dominues në Britaninë e Madhe.

Varianti Delta vlerësohet se është afërsisht 60% më i transmetueshëm se varianti Alpha, ose Kent.

Ndërsa, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar këtë variant se variant shqetësues i cili mund të përhapet më lehtë.

Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëruan se varianti Delta është “gati të kapë” të gjithë Evropën, pasi dhjetëra vende kanë hequr kufizimet.

Mediat e huaja raportojnë se njerëzit e infektuar nga varianti Delta kanë dy herë më shumë gjasa të përfundojnë në spital se sa ata të infektuar me variantin Alpha.

Ndërsa, ashtu si versioni origjinal i këtij virusi, edhe varianti Delta është më i rrezikshëm për të moshuarit e personat që kanë probleme tjera shëndetësore.

Ndërsa, simptomat e infektimit me këtë variant janë të njëjta si ato të varianteve tjera: Ethe, kollitje, gulçim, lodhje, diarre, dhimbje koke e trupi.

Të ngjashme