Pse të shqetësohemi ose entuziazmohemi për zgjedhjet parlamentare kur mund të shkojmë drejt një sistemi ku e zgjedhim kryeministrin direkt? Më mirë të kemi një lider të vetëm që merr vendime pa vonesa dhe pengesa nga Kuvendi. Pse të mbajmë një trup politikanësh dhe asistentësh që vetëm e zgjasin procesin dhe shërbejnë si instrumente votimi për nismat ligjore që vijnë nga qeveria? Nejse, si shoqëri që e duam show-un, simbolikat, ceremonitë, ndoshta do të na nevojitet një Kuvend për të organizuar ndonjë shfaqje mediatike, si një reality show politik ose ndonjë aktivitet ceremonial!
Kuvendi i Kosovës, pas pushimeve verore, po vazhdon të përballet me vështirësi për t’u mbledhur dhe ushtruar funksionet e saj. Këtë javë, madje, dështoi edhe mbledhja e kryesisë. Në një apo formë tjetër, Kuvendi po e bën gjithnjë e më shumë të panevojshëm vetën në procesin e qeverisjes dhe politikbërjes. Kjo situatë tregon se Qeveria dhe kryeministri Kurti kanë arritur një nivel të tillë fuqie dhe autonomie, saqë duket se nuk kanë nevojë për Kuvendin për të ushtruar qeverisjen e tyre. Ose, kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë aktuale, por është një reflektim i shoqërisë sonë, ndoshta anojmë më shumë drejt modeleve të qeverisjes mbretërore.
Kuvendi në vend që të funksionojë si një forum aktiv për diskutim, përfaqësim të qytetarëve, debat dhe mbikëqyrje të qeverisë, as nuk po arrin të mblidhet. Krejt i parëndësi dhe ndikim në procesin e politikbërjes dhe qeverisjes së vendit. Ky nivel i ulët i përgjegjësisë parlamentare nuk është thjesht një problem politik i momentit, për shkak të periudhës parazgjedhore, por një tregues i një narracioni politik më të thellë që shfaq mungesën e emancipimit të plotë të demokracisë përfaqësuese në shoqërinë tonë.