Trajneri i përfaqësueses së Kosovës në futboll Bernard Challandes ka mbajtur konferencë para mediave malteze në prag të ndeshjes Maltë-Kosovë.
Challandes ka thënë se kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme në kuadër të Ligës së Kombeve.
“E filluam këtë edicion për të bërë paraqitje sa më të mira dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë deri tani. Në këtë pikë po shohim se kemi gjasa reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin. E dimë se nuk do të jetë e lehtë ndaj Maltës, por ne jemi përgatitur që fillimisht të bëjmë një ndeshe të mirë dhe shpresojmë të marrim edhe 3 pikët”.
Ai ka theksuar se në futboll nuk ka ndeshje të lehtë dhe se do të aplikojnë lojë sulmuese, dhe se në Maltë kanë ardhur për fitore.
“Unë e pranoj që shikuesit në Kosovë mendojnë se ne po luajmë kundër Maltës dhe do të jetë shumë e mundshme të arrijmë fitore, por unë si trajner asnjëherë nuk mendoj në atë formë dhe këtë e kam për detyrë t’ua bëjë të qartë edhe lojtarëve se nuk ka ndeshje të lehtë dhe duhet angazhim i madh për fitore. Malta është skuadër shumë e fortë, sidomos kur luan në shtëpi. Jam befasuar me paraqitjen e Maltës kundër Azerbajxhanit, pasi atje shkuan dhe barazuan vetëm tri ditë pas ndeshjes sonë. Unë e kam parë atë ndeshje dhe për këtë arsye kam respekt kaq të madh për Maltën”, shkruan në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe mesfushori Hekuran Kryeziu, i cili është optimist se do ta dëshmojnë në fushë se janë më të mirë se maltezët.
“Ne e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe jemi përqendruar maksimalisht. Vetëm pas këtij 90-minutëshi do të mendojmë për ndeshjen me Azerbajxhanin. Bashkë me trajnerin e kemi studiuar me kujdes Maltën dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por kemi ardhur këtu për të dhënë më të mirën, me shpresën për të marrë maksimumin”.