Çiklistët dhe motoçiklistët kundër dhunës ndaj grave

Mitrovicë | 05 Dhj 2016 | 20:15 | Nga

Në kuadër të fushatës 16 ditore të aktivizimit kundër dhunës gjinore (nga 25 nëntori deri më 10 djetor, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut) është organizuar marsh me çiklistë dhe motoçiklistë kundër dhunës ndaj grave, duke kaluar nëpër rrugën kryesore të qytetit dhe në sheshin e qytetit të Mitrovicës.

Pjesëmarrës aktivë në këtë aktivitet ishin Besa Veseli nga Zyra për Barazi Gjinore, Burhan Maxhuni , mbrojtës i viktimave në rajonin e Mitrovicës, Sabri Hyseni dhe Edmond Kumnova nga KÇ “Trepça” dhe drejtuesi i Moto Klubit, Shenoll Brezhnica.

Drejtoresha e “Mundësia”, Hasime Tahiri-Hasani, tha se ky aktivitet tuboi dhjetëra çiklistë dhe motoristë të cilët përmes marshit nëpër qytet kishin për qëllim ngritjen e vetëdijes për uljen dhe eliminim e dhunës ndaj grave.

“Jemi këtu për të kontribuar në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve në eliminimin e dhunës ndaj grave. Vetë prania e gjinisë mashkullore me 90 % ( qoftë me biçikleta apo motor) në këtë aktivitet është dëshmi se nisma po mbështetet dhe do të rezultojë me sukses në qytetin tonë”, tha ndër të tjera drejtoresha Tahiri-Hasani.

Burhan Maxhuni, mbrojtës i viktimave, duke përshëndetur aktivitetin dhe organizimin, ka kërkuar nga pjesëmarrësit të bartin mesazhin që të ulet edhe të eliminohet dhuna ndaj grave, pasi ato janë shtylla të familjes dhe bazë e një shtetit të fortë edhe demokratik.

Më pas është zhvilluar marshimi i pjesëmarrësve me shall ngjyrë portokalli. Ky marshim filloi nga objekti i KK-së, më pas në rrugën kryesore, deri te lumi Lushta, pastaj kthimi në rrugën kryesore dhe së fundi parakalimi nëpër shesh.

Të ngjashme