Cilësia e ushqimit në burgje – Avokati i Popullit ankohet, KMDLNj e kënaqur

Prishtinë | 08 Sht 2019 | 08:07 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ushqimi që servohet në burgjet e Kosovës nuk është i mjaftueshëm për të burgosurit, por as nuk përmbush standardet. 

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se gjendja në burgjet e Kosovës në krahasim me burgjet e vendeve tjera të Ballkanit qëndron shumë më mirë, por që sipas tij, ka mungesë të ushqimit dhe të kalorive të caktuara.

“Mendoj se Kosova po qëndron më mirë se sa një pjesë e madhe e shteteve të Ballkanit sa i përket kushteve për personat e privuar në liri ose që janë në vuajtje të dënimit, megjithatë nuk është që nuk ka probleme edhe në raportet që publikojmë ato adresohen tek qeveria dhe jepet një afat i caktuar për të zbatuar rekomandimet tona që besojmë se janë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha ai.

“E meta e madhe që është parë në disa prej qendrave që kemi pas vizita ka qenë mungesa e ushqimit ose mungesa e kalorive të caktuara sipas standardeve”, thotë Jashari.

Ndryshe nga Avokati i Popullit, Valentina Demolli nga KMDLNj tha se cilësia e ushqimit në institucionet korrektuese është e mirë, por ka hapësirë të ketë edhe më shumë përmirësime.

Ajo tha se mëngjesi dhe darka cilësohen si vakte më të thata, ndërsa dreka është e bollshme dhe i plotëson nevojat kalorive për organizimin.

“Ushqimi në institucionet korrektuese ka një përmirësim të dukshëm, zakonisht gjatë vizitave monitoruese që i bëjmë gjithmonë vetë personalisht e testojmë ushqimin që hanë edhe personat e privuar nga liria”.

“Pozitive është se të njëjtin ushqim që e marrin të burgosurit, e marrin edhe stafi që janë të angazhuar në institucionet korrektuese dhe kemi vlerësuar se përveç mëngjesit dhe darkës që janë si shujta më të thata, dreka në gjitha institucionet korrektuese është e mirë dhe plotëson kriteret për një drekë të bollshme dhe kalorike në institucionet korrektuese”, tha ajo

“Ushqimi është i mjaftueshëm, gjithnjë rekomandojmë të ketë përmirësime në cilësi dhe sasi, zakonisht nuk marrim vërejtje nga të burgosurit”.

Demolli tha se vendi ku ruhet dhe mbahet ushqimi në burgje është i veçantë, raporton EO.

Ndërsa, shton se pastërtia në këto hapësira mirëmbahet nga vetë të burgosurit dhe se higjiena është mjaftë e mirë.

Ndërsa javë më parë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi, i kishte thënë Ekonomia Online se higjiena dhe cilësia e ushqimit në burgje është në nivel.

Sipas tij, për të ruajtur këtë nivel burgjet vazhdimisht inspektohen nga institucione të ndryshme si nga Inspektorati i Burgjeve, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, QKMRT, KMDLNj, Avokati i Popullit etj.

“Pastërtia është në nivelin shumë të kënaqshëm sepse në vazhdimësi investojmë në renovimin e pavijoneve apo vendbanimet e të burgosurve, ndërsa kualiteti i ushqimit është mjaft i lartë me kalori të mjaftueshme dhe deri më tani nuk kemi pasur asnjë ankesë të vogël për dyshime në ushqim”, kishte thënë Thaçi.

Të ngjashme