Cilët hapa duhet të bëhen deri te shkarkimi i kryetarëve në Veri pasi filloi mbledhja e nënshkrimeve

Prishtinë | 17 Jan 2024 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Afër tre muaj pas publikimit të udhëzimit administrativ që nxori Qeveria e Kosovës për të krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore, qytetarët e Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit sot kanë nisur nënshkrimin e peticionit që iu hap rrugë shkarkimit të kryetarëve aktualë. Javën e ardhshme pritet që peticioni të nisë edhe në Zubin Potok e Zveçan.

Cilët janë hapat pasues pas inicimit të nënshkrimit të peticioneve?

Si pikënisje, qytetarët e këtyre komunave formuan një grup nismëtar që kërkohej për të nisur procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve.

Ashtu siç parashihej, grupi nismëtar ka paraqitur te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, ka njoftuar kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Në udhëzim administrativ shpjegohet edhe procesi i votimit për largimin nga detyra të një kryetari komune. Votimi për këtë çështje duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Nga ora 09:00 në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, disa qytetarë shkuan për të nënshkruar peticionin. Nënshkrime u dhanë edhe nga përfaqësuesit e Listës Srpska, të cilët bojkotuan zgjedhjet e fundit.

Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e peticionit, i ka thënë REL-it se është befasuar me interesimin e madh të qytetarëve.

“Jam e befasuar për të mirë dhe besoj se do ta përfundojmë këtë brenda dy ditësh”.

Një ndër katër pikat që Qeveria e Kosovës u dakordua me Bashkimin Europian në Bratisllavë korrikun e vitit të kaluar ishte sigurimi i bazës ligjore që të shkohet në zgjedhje në këto katër komuna.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”, thuhet në marrëveshjen e zëvendëskryeministrit Bislimi dhe emisarit Lajçak.

Pikat e dakorduara ishin të parapara të ndodhnin brenda një kohë të shkurtë pas arritjes së marrëveshjes.

Bashkimi Europian vazhdon të refuzojë të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës me arsyetimin se po e presin shtensionimin e plotë të situatës/GE

Të ngjashme