Cili vend tjetër në Europë është nën sanksione përveç Kosovës?

Prishtinë | 24 Gus 2024 | 11:50 | Nga Ndue Ukaj

Që shefi i CIA-s nuk ka ardhë te ne, për t’i dëgjuar përrallisjet e propagandën e qeverisë për progres ekonomik e lavdërime tipike enveriste, këtë e di secili njeri që ka një grimë mend dhe ende e gëzon të drejtën të mendojë me kokë të veten.

Gjithashtu, secili njeri që ka një grimë mend, e kupton se ardhja e shefit të CIA-s në Kosovë, lidhet me ecjet tona negative në politikat rajonale, thjesht, lidhet me ecjet e trullosura të vendit tonë, ecje që kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe në perëndim, për çka, vendi ynë është futë nën sanksione të ashpra të perëndimit, duke i izoluar udhëheqësit tanë, të cilët nga qendra, janë në tribuna, ku rri publiku që vegjeton.

Për më tepër, në këto kohë trazimesh globale, një vizitë e tillë, përcjell mesazhe qortimi.

Prandaj, dalldia me të cilën politikanë e militantë trutharë e shpjegojnë takimin e shefit të qeverisë sonë me shefin e CIA-s, William J. Burns, tregon saktësisht mjerimin në të cilin është katandisë vendi ynë, i udhëhequr nga njerëz me mendësi bashibozuke e pa vizion për vendin, nga njerëz që katër vjet qeverisje, nuk kanë asnjë vepër të vërtetë për t’u krenuar, por e kanë një meritë që ju rri si një njollë e zezë në ballë: vendin e tyre, kanë futë nën sanksione.

Sot, secili njeri normal, po të pyeste sot veten se, cili vend tjetër në Europë është nën sanksione përveç Kosovës?- do ta kuptonte mirëfilli ku jemi. Por, fatkeqësisht, pyetjet e tilla janë luks i madh për ata që e kanë humbë të drejtën të mendojnë me kokë të veten.

Të ngjashme