Katër anije që ishin nisur drejt Ngushticës Bab al-Mandeb në Detin e Kuq janë kthyer mbrapa, ndërsa rebelët Huthi në Jemen kërcënojnë të vendosin bllokadë në një tjetër pikë strategjike për transportin e naftës, raporton CNN.
Kompania e inteligjencës tregtare Kpler identifikoi katër “raste të mirëfillta të kthimit mbrapa” në këtë rrugë ujore, e cila lidh Detin e Kuq me Detin Arabik dhe Oqeanin Indian, thuhet në një deklaratë të publikuar të mërkurën.
Bab al-Mandeb është bërë një alternativë me rëndësi jetike ndaj Ngushticës së Hormuzit për eksportet saudite të naftës. Huthitë kanë paralajmëruar anijet saudite të mos kalojnë nëpër këtë ngushticë, e cila gjatë muajit të fundit është përdorur për transportin e rreth 6.2 milionë fuçive naftë në ditë, sipas Kpler, ose rreth 6% të furnizimit global me naftë. Pjesa dërrmuese e kësaj sasie është naftë saudite.
Windward Intelligence, një tjetër kompani e analizës detare, tha të martën se pesë cisterna nafte që po lundronin drejt Ngushticës Bab al-Mandeb u kthyen mbrapa për shkak të kërcënimeve të Huthive, “katër prej tyre duke transportuar ngarkesa me origjinë nga Arabia Saudite”.
Sipas Dan Pickering, drejtor i investimeve në Pickering Energy Partners, një bllokadë e plotë e Bab al-Mandebit mund t’i rikthejë çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi.