Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ftoi qytetarët e komunave të Kosovës, të cilat janë në balotazh, të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, raporton Ekonomia Online.
Çitaku tha se është ditë vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të këtyre komunave, qytetarët e të cilave e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë.
“Më 17 tetor, disa prej komunave të vendit përmbyllën garën me sukses në raundin e parë dhe tashmë kanë kryetarët e zgjedhur me votë demokratike për katër vitet e ardhshme. Sot, qytetarët e komunave në balotazh e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre”.
“Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin në mënyrë sa më masive ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë që t’i udhëheqë në katër vitet e ardhshme”, tha ajo.
Çitaku theksoi se të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, gratë dhe burrat e vendit, me votën e tyre sot, do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës duke vendosur për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre.
“Këto zgjedhje janë ekskluzivisht për qytetarët, për të pasur institucione lokale funksionale, të cilat duhet të punojnë për t’i përmbushur kërkesat dhe nevojat e tyre”.
“Nga mijëra aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të angazhuar në procesin zgjedhor të raundit të dytë në tërë territorin e vendit, vlerësohet se mbarëvajtja e deritashme e procesit zgjedhor po shkon mirë. Dhe shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi dominant në këto zgjedhje”, përfundoi ajo.