Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetues vendimin e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Kuvendit, për shkarkimin e bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Çitaku ka rikujtuar se Qeveria Kurti tashmë në mënyrë të përsëritur është bërë shkelëse e Kushtetutës, i cili akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës.
”Shkelës serik të Kushtetutës”, ka shkruar Çitaku shkurt në Facebook, duke e shoqëruar postimin edhe me hashtagun #KrejtdheDrejt me të cilin slogan erdhi në pushtet Vetëvendosje.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi vendimin, duke iu përgjigjur kërkesës së 10 deputetëve të Kuvendit, lidhur me vlerësimin e vendimit për shkarkimin e tetë anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Kushtetuesja ka konstatuar se ky vendim është pa bazë ligjore, dhe bie ndesh me dispozitat e Ligjit për RTK-në.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencave që i takojnë me ligj, karshi funksioneve brenda transmetuesit publik.