Manchester City dhe Bayern Muncheni mund t’i japin fund dilemave për titujt në kampionatet nacionale. Të shtunën mund të vendoset titulli si në Premier League ashtu edhe në Bundesligë.
Skuadrës së Cityt i duhet fitorja në derbin lokal ndaj Manchester Unitedit për t’u konfirmuar kampion pesë xhiro pa u mbyllur edicioni. Ndërkohë, edhe Bayerni duhet të triumfojë në udhëtim ndaj skuadrës së Augsburgut që të festojë titullin, po ashtu pesë xhiro para përfundimit, transmeton Koha Ditore.
Për Bayernin ky do të jetë titulli i gjashtë rresht dhe njëherë rekord në Bundesligë, të cilin mund ta fitojë edhe pa fitore ndaj Augsburgut, por me kushtin që të dështojë edhe Schalke e vendit të dytë ndaj Hamburgut.
Dueli mes Augsburgut dhe Bayernit do të nisë në orën 15:30.
“E kemi diskutuar me lojtarët dhe jemi bërë gati për festë, pasi për ne është e rëndësishme që ta fitojmë titullin më herët për të qenë më të relaksuar në Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Gjermanisë”, ka thënë trajneri i Bayernit, Jupp Heynckes, që ka konfirmuar largimin nga klubi pas përfundimit të këtij edicioni.
Pas 28 xhirove të zhvilluara në Bundesligë, Bayerni prin me 69 pikë, 17 më shumë se Schalke (52) që zë vendin e dytë në tabelë. Edhe Manchester City ka diferencë të madhe në krye të renditjes me Manchester Unitedin që e përcjellë nga prapa. City ka tubuar 84 pikë pas 31 ndeshjeve të zhvilluara, kurse Unitedi ka 68. Ndeshja mes këtyre dy skuadrave, zhvillohet në “Etihad Stadium” prej orës 18:30.