Manchester City e ka mposhtur Liverpoolin (2-1) në Etihad Stadium, në ndeshjen direkte në garën për kreun e tabelës në Ligën Premier.
Rastin më të mirë në minutat e para të takimit e patën mysafirët. Sadio Mane krijoi hapësirë në zonë, pranoi një top fantastik nga Mohamed Salah dhe goditi nga afërsia, mirëpo ishte i pafat pasi topi u përplas në shtyllë.
Më pas, John Stones në përpjekje për ta larguar topin e goditi portierin Ederson dhe topi për pak sa nuk e kaloi vijën fatale, por mbrojtësi ishte vendimtar në largimin e tij.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 40-të. Sergio Aguero pranoi një top në zonë nga Bernardo Silva dhe nga një pozitë e vështirë arriti të shënojë. Me epërsi të vendasve, skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, Redsat e barazuan rezultatin. Andrew Robertson e priti një harkim në zonë dhe e dërgoi topin me shpejtësi drejt Roberto Firminos, i cili e futi në rrjetë (64’).
Megjithatë, gëzimi i mysafirëve nuk zgjati shumë, pasi nikoqirët e rikthyen epërsinë. Leroy Sane pranoi një asistim nga Raheem Sterling dhe goditi për ta ndëshkuar Alissonin (72’).
Xherdan Shaqiri e zëvendësoi Sadio Manen në minutën e 77-të, mirëpo nuk arriti t’i ndihmonte skuadrës së tij për të nxjerrë rezultat pozitiv nga ky takim. Në anën tjetër, portieri i Kosovës, Arijanet Muriqi, ishte portieri i dytë në bankën rezervë të ekipit vendas.
Me këtë fitore, Manchester City ngritet në kuotën e 50 pikëve, katër më pak se lideri Liverpool dhe pritet të shohim një garë interesante në vazhdim të sezonit. Vlen të theksohet se kjo ishte humbja e parë e ‘Redsave’ këtë sezon.
Në xhiron e ardhshme, skuadra e Jurgen Klopp luan në udhëtim te Brighton & Hove Albion, kurse ekipi i Pep Guardiolas është nikoqir i Wolverhampton Wanderers.