CIVIKOS: BE-ja nuk mund të heshtë përballë retorikës së spastrimit etnik

Prishtinë | 17 Kor 2026 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e shoqërisë civile nga Kosova kërkuan nga Bashkimi Evropian që të mbrojë në mënyrë aktive vlerat mbi të cilat është ndërtuar, duke reaguar ndaj retorikës së fundit nxitëse nga Serbia dhe duke kërkuar mbështetje më të madhe për shoqërinë civile në vendet aspirante për anëtarësim.

Këto mesazhe u dhanë gjatë pjesëmarrjes së parë të Kosovës si Anëtare Kandidate për Zgjerim në Sesionin Plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), në kuadër të tryezës së nivelit të lartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, të mbajtur në ndërtesën Charlemagne të Komisionit Evropian në Bruksel.

Sesioni u hap nga Presidenti i KESE-së, Seamus Boland, ndërsa fjalimin kryesor e mbajti Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos. Ajo theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është vetëm një proces teknik reformash, por një transformim shoqëror që forcon demokracinë, institucionet dhe të drejtat themelore.

“Sapo të jemi bashkë në Bashkimin Evropian, ne nuk bëjmë më luftë,” deklaroi Kos, duke u bërë thirrje shteteve anëtare që ta mbështesin zgjerimin si investim në paqen, lirinë dhe prosperitetin e përbashkët.

Në diskutimin plenar me temën “Përshpejtimi i konvergjencës socio-ekonomike me BE-në për të nxitur rritjen dhe konkurrencën evropiane”, Kosovën e përfaqësoi Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Dren Puka.

Në fjalimin e tij, Puka falënderoi KESE-në për rishqyrtimin e vendimit fillestar që kishte lënë Kosovën jashtë Nismës për Anëtarë Kandidatë për Zgjerim, duke e cilësuar përfshirjen e Kosovës si një hap të rëndësishëm drejt pjesëmarrjes së barabartë në proceset evropiane.

Ai theksoi se suksesi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor do të varet nga përfshirja reale e qytetarëve dhe e shoqërisë civile në proceset reformuese.

“Reformat nuk mund të jenë të qëndrueshme pa pronësi qytetare dhe pa një shoqëri civile të fuqishme,” tha Puka, duke përmendur protestat mjedisore në Shqipëri si shembull të pasojave kur vendimet merren pa konsultim me qytetarët.

Ai ngriti shqetësimin edhe për rritjen e presionit politik dhe financiar ndaj organizatave të shoqërisë civile në rajon, duke rikujtuar se pas tërheqjes së USAID-it, Ballkani Perëndimor ka humbur mbi 120 milionë euro financim për sektorin civil, prej të cilave rreth 26 milionë euro i përkisnin Kosovës.

Puka u bëri thirrje institucioneve evropiane që, gjatë negociimit të Kornizës së re Financiare Shumëvjeçare (MFF), financimi për shoqërinë civile të pavarur në vendet e zgjerimit të trajtohet si investim strategjik për demokracinë dhe stabilitetin e Evropës.

Një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje gjatë seancës ishte reagimi i tij ndaj deklaratës së ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila këtë javë deklaroi në një intervistë televizive se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën në vitin 1998.

“Kjo është një kujtesë se çfarë ndodh kur pushteti nuk ndjen përgjegjësi dhe llogaridhënie, dhe kur askush nuk e sfidon. Retorika e luftës vazhdon të jetë e pranishme në rajon dhe Bashkimi Evropian nuk mund të heshtë përballë saj,” deklaroi Puka.

Duke iu referuar mesazhit të Komisioneres Marta Kos për paqen si vlera themelore e Bashkimit Evropian, ai shtoi se konvergjenca me BE-në nuk matet vetëm me përmbushjen e kritereve teknike.

“Konvergjenca me BE-në ka të bëjë më shumë me përqafimin e vlerave evropiane sesa me çdo gjë tjetër. Vetëm veprimi konkret e bën thënien ‘kurrë më luftë’ një premtim për të ardhmen, e jo thjesht një kujtim të së kaluarës,” u shpreh ai, transmeton Klan Kosova.

Platforma CIVIKOS, e cila ishte pjesë e delegacionit të Kosovës së bashku me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Aleancën Kosovare të Bizneseve, vlerësoi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë sesion si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e zërit të shoqërisë civile në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se mbrojtja e vlerave demokratike dhe përfshirja e qytetarëve duhet të mbeten në qendër të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Të ngjashme