Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një protestë, në solidarizim me punëtorët teknikë të Kuvendit, të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë, raporton Ekonomia Online.
Fjolla Muçaj, nga kjo organizatë, ka thënë se janë mbledhur për ta shprehë solidaritetin e tyre me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit.
“Jemi mbledhë sot për ta shprehë solidaritetin tonë me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit, të cilat që nga e hëna e kanë bojkotuar punën në kërkim të kushteve ma të mira të punës. Gjatë kësaj jave ne kemi fol me grevistet për kushtet e punës dhe kërkesat e tyre që i kanë qitë në oborr. Ato kanë tregu që punojnë në kushte të tmerrshme, me presion të vazhdueshëm psikologjik, dërrmim fizik e emocional, paga të mjerueshme e orë të zgjatura”.
“Çka bën njeri me 275 euro në muaj”, shkruante njëra nga pankartat.
“Për punën që e bëjnë, ato paguhen veç 275 euro. Pra, me 275 euro në muaj ato kompensohen dhe priten që të mbijetojnë në nje realitet i cili po bahet çdo ditë e ma i kushtueshëm dhe ma i pamundur për klasën punëtore. Me ato 275 euro, ato harxhojnë deri ne 60 euro në muaj veç për me ardh në punë. E ajo rrogë, nuk iu shtohet kur ato punojnë me orë të zgjatura deri natën vonë e iu mohohet kur ato janë sëmura e nuk mbërrijnë me ardh në punë. Punëdhënësi i tyre ‘Schafberger’ nuk ua qet kontributet qysh iu takon, nuk ua tregon pagën bruto qysh e edhe ua vjedhë kurdo që mundet”.
“I ripërsërisim këtu kërkesat e grevisteve e që janë: Rroga mujore 550 euro; Pagesë të rregullt kontributeve; Kushte pune të dinjitetshme e që nënkuptojnë ndalim të menjëhershëm të dhunës psikologjike, presionit dhe degradimit që iu bëhet. Ne i mbështesim këto kërkesa dhe përpjekjen e tyre për kushte më të mira. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë me ardh këtu kurdo që kërkohet, për të lypë drejtësi për punëtoret, kushte të dinjitetshme pune”, ka thënë ajo.