Nyja politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës po vazhdon, përderisa ende nuk është krijuar një shumicë parlamentare që do t’i kishte votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja.
Të enjten, më 24 gusht, Kuvendi nuk arriti ta zgjedhë kryetarin e këtij institucioni në një seancë të filluar që nga 3 gushti.
Dhe si rezultat i kësaj, koalicioni PAN deklaroi se nuk i ka numrat e mjaftueshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, duke kërkuar kështu ende kohë.
PDK-AAK-Nisma kanë përmendur si datë për mbajtjen e seancës së radhës 7 shtatorin, e cila sipas tyre do të jetë vendimtare për formimin e institucioneve.
E duke marrë parasysh këtë që zgjedhjet lokale do të mbahen me 22 tetor, 7 shtatori i bie të jetë 45 ditë para, afat ky i cili është i paraparë me Kushtetutë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse brenda këtyre ditëve nuk arrihet të formohen institucionet.
Një gjë të tillë e qartëson edhe neni i 4 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, ku thuhet se zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë dhe më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
“4.5 Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat”, thuhet në ligj.
Lidhur me këtë Artan Murati nga KDI, ka thënë për Telegrafin se për të shpallur zgjedhje të jashtëzakonshme, së pari duhet të plotësohen disa parakushte për Presidentin.
“Presidenti mund të shpallë zgjedhje të parakohshme nëse Kuvendi me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve vendosë për shpërndarjen e Kuvendit ose nëse nuk arrihet të votohet Qeveria nga i mandatari i dytë brenda afatit kushtetues. Pra vetëm në këto raste Presidenti mund të shpallë zgjedhje”, ka thënë Murati.
Ai ka theksuar se në situatën aktuale, Presidenti nuk ka kompetencë të shpallë zgjedhje, pasi që nuk ka Kuvend të konstituuar e as votim të dështuar për Qeverinë.
“Ky fakt, pra pamundësia e shkuarjes në zgjedhje si dhe mungesa e një afati për konstituimin e Kuvendit e bëjnë krizën aktuale goxha të rrezikshme, pasi që ajo mund të zgjasë për shumë e shumë kohë, nëse subjektet politike nuk merren vesh për tejkalimin e saj”, u shpreh Murati.
Sipas tij, nëse seanca potenciale do të mbahet më 7 shtator do të mund të shërbente më tepër për të ofruar kohë të mjaftueshme për koalicionin PAN për t’i siguruar numrat.
“Unë nuk do ta ndërlidhja mbajtjen e një seance më 7 shtator me mundësinë e zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi që siç e ceka më herët, në rrethanat aktuale Presidenti nuk mund të shpallë zgjedhje, jo pa konstituim dhe votë për shpërndarje të Kuvendit apo dështim të votimit të Qeverisë nga i mandatari i dytë”, tha Murati.
Të njëjtën gjë sikurse Murati e thotë edhe Valmir Ismaili nga Demokracia Plus. Ismaili në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se presidenti i vendit nuk mund të shpallë zgjedhje të reja pa ndodhur fillimisht konstituimi i Kuvendit.
“Në rrethana aktuale nuk ka asnjë mundësi tjetër që të shpërndahet Kuvendi. Pra, për të ardhur deri të mundësia për shpërndarje të Kuvendit fillimisht duhet të kemi një marrëveshje nga subjektet politike që të konstituohet Kuvendi, pra të zgjedhet Kryetari dhe Kryesia dhe pastaj të shqyrtohet mundësia për shpërndarje të Kuvendit”, ka thënë Ismaili.
Ai ka theksuar se dallimet në mes subjekteve politike janë aq të mëdha saqë nuk pret që ato të arrijnë një marrëveshje të tillë, përveç nëse sipas tij, garanci për një marrëveshje të tillë do të ishte bashkësia ndërkombëtare, e cila, së paku publikisht nuk ka qenë shumë aktive në zgjidhje të këtij ngërçi.
“Megjithatë, nëse subjektet politike nuk mund të gjejnë zgjidhje për këtë bllokadë, atëherë zgjedhjet lokale do të ishin një mundësi e mirë për t’u shfrytëzuar për organizim edhe të zgjedhjeve të parakohshme në nivel qendror”, ka thënë Ismaili.
Përveç që si datë potenciale për mbajtjen e shtatë të seancës konstitutive të Kuvendit më 7 shtator, ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar për këtë, ani pse deri më tash kanë dështuar gjashtë seanca të thirrura që nga 3 gushti.
Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci i ka thënë dje Telegrafit, se seanca do të thirret në momentin kur atë e njofton sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.
“Nuk ka seancë deri sa të më thërret sekretariati i Kuvendit e të thotë caktoje seancën se PAN-i i ka bërë numrat ose ndonjë koalicion tjetër. Unë nuk jam i sigurt kur mundet me pas seancë”, ka thënë Mikullovci.