Clark për armatimin e gjetur në Banjskë: Veprim i koordinuar me forcat speciale serbe

Prishtinë | 28 Sht 2023 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për sulmin terrorist në veri.

Më poshtë pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Si i komentoni ngjarjet që ndodhën të dielën e kaluar në veri të Kosovës afër fshatit Banjskë?

Wesley Clark: Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

Zëri i Amerikës: Autoritetet e Kosovës pretendojnë se një nga sulmuesit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë më të madhe dhe më me ndikim të serbëve të Kosovës, që ka lidhje të ngushta me partinë serbe në pushtet. Ai është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Si e shihni këtë?

Wesley Clark: Kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe. Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës.

Të ngjashme