Thirrja kundër çmitizimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut – figurë historike që u bë mit edhe nga gojëdhënat, historiografia, letërsia e artet – u adresua nga tubimi që mblodhi studiues nga Kosova e Shqipëria, në konferencën shkencore që u hap në Prishtinë.
Akademik Rexhep Qosja ka thënë se çmitizimi i heroit kombëtar – një përpjekje kjo e disa historianëve, studiuesve e shkrimtarëve – do të ishte varfërim i identitetit kolektiv dhe do ta dobësonte fuqinë e përbashkësisë së historisë shqiptare.
Heroi më me nam në gjithë shqiptarinë, u nderua edhe njëherë të mërkurën, në atë që u titullua “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe epoka e tij”, konferencë shkencore dyditore në 550-vjetorin të vdekjes së tij.
Punimet e saj vazhdojnë edhe sot (e enjte).
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në punimin “Skënderbeu nga pikëpamja ushtarake” tha “Ka qenë udhëheqësi më i lavdishëm i popullit tonë në periudhën më të vështirë të historisë shqiptare. Si pasardhës të tij, ne jemi krenarë që po përkujtojmë figurën e tij madhështore”, ka thënë Moisiu.
“Atlet i Krishtit apo fatos i lirisë” nga Pëllumb Xhufi, “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu udhëheqës e komandant fitimtar dhe strateg me vizion të gjerë” nga gjeneral Kudusi Lama, “Vendosja e sundimit osman në Shqipëri dhe fillet e kryengritjes së Skënderbeut” e Iljaz Rexhës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe Dardania” nga Lulëzim Lajçi ishin disa prej kumtesave të prezantuara të mërkurën. Pjesëmarrës në konferencën shkencore në ditën e parë ishin edhe Etleva Lala, Sadri Fetiu, Shyqri Nimani, Qerim Dalipi, Anton Panchev e të tjerë. Leximit të kumtesave i paraprinë fjalimet.
I pari që mori fjalën qe Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cili përmendi se si para 50 vjetësh, në 500-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, pikërisht ky institucion kishte mbajtur simpozium shkencor për Skënderbeun.
Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, Marenglen Verli, e ka quajtur Skënderbeun kampion të madh e emblemë të luftës, që ka shumë ngjashmëri me emblemën e paqes e mirësisë – nobelisten shqiptare Shën Tereza.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu jeton në botën shkencore edhe 550 vjet pas vdekjes së tij