Çohu e shqetësuar me dhënien e lejes mjedisore për kompaninë “Kelkos”

Prishtinë | 17 Nën 2020 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Organizata Çohu ka shprehur shqetësimin për dhënien e licencës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për kompaninë “Kelkos Energy” për prodhimin e energjisë për 40 vjet nga hidrocentralet Belaja dhe Deçani.

Sipas kësaj organizate, gjithë këtë proces e bënë dyshues edhe përshpejtimi i procedurave, pasi që është raportuar se vetëm dy ditë pasi kompania “Kelkos Energy” i ka dorëzuar dokumentet është futur në rëndin e ditës nga ZRrE.

“Për më tepër, ZRrE një muaj më parë kishte ndërprerë punën në tri hidrocentralet e kësaj kompanie pasi që nuk kishin leje mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Kjo ministri para dy javëve nuk i kishte dhënë leje mjedisore kompanisë Kelkos për shkak se nuk i kishte plotësuar kriteret e kërkuara”, thuhet në komunikatën e Çohu.

“Duke marrë parasysh dyshimet që janë ngritura lidhur me dhënien e kësaj licence, e sidomos dy lejeve mjedisore nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit si dhe deklaratave të ministrit Kuçi, organizata ÇOHU!, me 13 nëntor ka bërë kërkesë për t’u qasur në këto në dy leje mjedisore”, thuhet më tej në komunikatën e tyre.

Gjithashtu, Çohu njofton se kanë kërkuar qasje edhe në dosjen që e ka dorëzuar kompania “Kelkos Energy”, përkatësisht dokumentet që i ka dorëzuar në kuadër të kritereve për të marrë leje mjedisore, por ende nuk kanë pranuar përgjigje nga kjo ministri.

“Organizata ÇOHU!, kërkon nga Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit të jetë transparente lidhur me këtë çështje dhe të ofrojë dokumentet e kërkuara në mënyrë që të zbardhen procedurat e dhënies se dy lejeve mjedisore për kompaninë në fjalë”, thuhet në fund të komunikatës.

Të ngjashme