Kur u duk se me nënshkrimin e fazës së parë të marrëveshjes tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, ekonomia botërore do të fillonte të stabilizohej disi, nuk ndodhi kështu.
Shpërthimi i Coronavirusit në Kinë, i cili deri tani ka vrarë 170 persona në Kinë dhe shumë të tjerë jashtë saj, tronditi përsëri tregjet në një kohë shumë të shkurtër. Zinxhirët e furnizimit janë goditur rëndë për shkak të aktivitetit të pezulluar të ekonomisë vendase, përcaktuese e fatit të gjithë ekonomisë botërore, përcjell Telegrafi.
Ari, si ishte një nga asetet e sigurta që investitorët zgjedhin në të tilla raste, ishte ndër të paktit që me gjithë rrëshqitjen e tregut, u bë edhe më i vlefshëm në bursë.
Tani çmimi i arit është 20 për qind i lartë se viti i kaluar dhe tregtohet rreth 1,600 dollarë në ons (1 ons = 28 gramë), niveli më i lartë që nga viti 2013, megjithëse edhe para se sa njerëzit rreth botës të dëgjonin për herë të parë në jetë Coronavirusin, ari kishte filluar tendencën rritëse.
Metalet e tjera të çmuara, të tilla si argjendi dhe platini gjithashtu u rritën në vlerë. Megjithatë ekspertët mendojnë se çmimi do rritet edhe më, madje nëse situata në Kinë përkeqësohet, ari mund të arrijë edhe 2,000 dollarë në të ardhmen jo shumë të largët. Niveli më i lartë i çmimit të tij, me plot 1,900 dollarë për ons është regjistruar në vitin 2011, në kohë e krizës evropiane të borxhit.
Tashmë kudo rreth botës, investitorët kanë filluar të shqetësohen rreth një pasigurie të re në horizont, Kina si një nga shtetet më me peshë në ekonominë botërore.