Studime të ndryshme kanë shfaqur rezultate se koronavirusi ka qarkulluar nëpër Itali në shtatorin e vitit 2019.
Instituti Kombëtar për sëmundjen e Kancerit në Milano, me studim ka bërë të ditur se 11 për qind e 959 vullnetarëve të shëndetshëm kanë pasur antitrupa para muajit shkurt kur nisi përhapja e koronavirusit në Itali. Pacientët e parë me COVID-19 u identifikuan më 20 shkurt, por studimi ka treguar se koronavirusi ishte i pranishëm shumë më herët, sepse ishte shumëfishuar numri i pacientëve me pneumoni.
Në rajonin e Lombardisë, në tre muajt e fundit të vitit 2019, kishte shumë pacientë me pneumoni dhe simptoma gripi, shenjë se koronavirusi ka qarkulluar shumë më herët sesa është menduar. Në një tjetër studim të mëhershëm është bërë e ditur se koronavirusi ka qarkulluar në ujërat e zeza të Milanos që në muajin dhjetor.