Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha të mërkurën se Bashkimi Evropian do t’i përkrahë Grenlandën dhe Danimarkën, kur të jetë e nevojshme, dhe nuk do të pranojë shkelje të së drejtës ndërkombëtare pavarësisht se ku ndodhin ato.
“Sa i përket Grenlandës, më lejoni që të jem i qartë: Grenlanda i përket popullit të saj. Asgjë nuk mund të vendoset për Danimarkën dhe për Grenlandën pa Danimarkën ose pa Grenlandën” – tha Costa në një fjalim me rastin e marrjes së presidencës së përkohshme të BE-së nga Qiproja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ata e kanë mbështetjen dhe solidaritetin e plotë të Bashkimit Evropian” – shtoi zyrtari i lartë portugez, i cili nga viti 2015 e deri më 2024 kishte shërbyer edhe si kryeministër i vendit të tij.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ditëve të fundit e ka përsëritur dëshirën për ta marrë nën kontroll Grenlandën, duke argumentuar se ishulli gjigant është kyç për strategjinë ushtarake të ShBA-së dhe pretendon se Danimarka nuk ka bërë mjaftueshëm për ta mbrojtur atë.
Costa tha se Qiproja po e merr presidencën e Bashkimit Evropian në kohën kur rendi ndërkombëtar i mbështetur në rregulla është nën sulm dhe u bëri thirrje vendeve të BE-së që të dalin kundër këtyre zhvillimeve.
“Bashkimi Evropian do të mbetet mbrojtës i vendosur dhe i palëkundur i së drejtës ndërkombëtare dhe multilateralizmit” – shtoi ai.