Ç’parime ka ShBA-ja për “non grata”, asnjë fjalë për Netanyahun me aktakuzë për ryshfet

Prishtinë | 20 Maj 2021 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur person “non grata” ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me arsyetimin se ai ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, ndonëse zyrtarisht nuk është dënuar për këtë gjë nga ndonjë gjykatë.

Sidoqoftë, duket se Shtetet e Bashkuara nuk zbatojnë kritere të njëjta për të gjithë liderët sa i përket futjes në listën e personave “non grata”. Për shembull, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka aktakuzë aktive për marrje të ryshfetit, mashtrim dhe shkelje të besimit dhe është paraqitur në gjykatë për këto akuza. Departamenti i Shtetit nuk ka reaguar për këtë rast.

Në deklaratën për Sali Berishën, sekretari Blinken, mes tjerash, thotë: “Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve anti-korrupsion dhe masave të përgjegjësisë.”

Në shtator të vitit të kaluar, në cilësinë e kryeministrit dhe të akuzuarit, Netanyahu bëri thirrje që të nisin hetime kundër hetuesve që ia kanë ngritur aktakuzën për korrupsion, raporton agjencia Reuters.

Kryeprokurori i Izraelit e akuzoi Netanyahun për përpjekje që ta diskreditojë sistemin e drejtësisë përderisa vetë është në gjyq për ryshfet, mashtrim e shkelje të besimit. Shtetet e Bashkuara nuk reaguan në këtë rast.

Vitin e kaluar, kryeministri me pushtetin më të gjatë në Izrael u përball me protesta rreth akuzave për korrupsion dhe për menaxhimin e situatës me pandeminë.

Netanyahu është duke u hetuar nga policia izraelite që nga dhjetori i vitit 2016. Më 21 nëntor 2019, kundër tij u ngrit zyrtarisht aktakuza për marrje ryshfeti, mashtrim e shkelje të besimit.

Të ngjashme