Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi luajnë për gjithçka në vetëm 3 muaj. Dy më të mirët e botës, janë në vitin më të rëndësishëm të karrierës së tyre, duan fitore që do t’i shndërronte ata në legjenda.
Për vite të tëra është debatuar shumë; kush është më i mirë, Messi apo Ronaldo? Kjo është pyetja që ka prodhuar përgjigje të shumta, nga më të ndryshmet, raporton Marca.
Ata kanë fituar tituj të shumtë, individual dhe kolektiv, kanë thyer dhe vendosur rekorde historike – për këtë është e vështirë të zgjedhësh njërin para tjetrit, por duket se ky mund të jetë një vit që mund t’i vë kapakun kësaj çështje.
Cristiano dhe Messi kanë fituar numër të ngjashëm të Champions League (katër), Topa të Artë (pesë), dhe Këpuca të Arta (katër).
Këta tre muajt e ardhshëm do të shërbejnë që njëri të marrë primatin e të parit pasi që të dy, janë kandidatë për t’i fituar tre çmimet e lartpërmendura.
Messi qëndron më mirë për Këpucën e Artë (25 gola me 23) ndërsa edhe Barcelona është afër dy trofeve këtë edicion si dhe favorite në Champions, kurse Real Madridi ka mbetur në garë vetëm në Ligën e Kampionëve.
Kupa e Botës, është një tjetër trofe që e ëndërrojnë dy lojtarët në fjalë dhe do të tentojnë të japin gjithçka për ta fituar pasi ky mund të jetë treni i fundit për Messin dhe Cristianon.
Ky është viti kur njëri do të jetë në një apo tjetër mënyrë para tjetrit.