Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka arritur një marrëveshje me autoritetet spanjolle të tatimeve për dënimin prej dy viteve burg dhe një gjobe prej 18.8 milionë eurosh.
El Mundo Deportivo shkruan se Ronaldo është pajtuar për këtë marrëveshje në mënyrë që procesi të mos vazhdojë dhe ai të mos dënohet më rëndë.
Ronaldo nuk pritet që të hyjë në burg edhe pse do të jetë i dënuar me dy vjet burgim, pasi që ligji spanjoll përcakton se një secili dënim deri në dy vjet i cili shqiptohet për herë të parë mund të ekzekutohet edhe në liri me kusht.
Kështu 33 vjeçari portugez i cili është akuzuar për evazion fiskal prej 14.7 milionë eurosh me anë të agjentëve të tij, gjithmonë i ka mohuar këto akuza, edhe pse tash besohet se ka arritur një marrëveshje të tillë.
Ronaldo pritet që të paraqitet sonte për kombëtaren e Portugalisë për ndeshjen e Kampionatit Botëror ndaj Spanjës.
Gestifute, agjencia që përfaqëson lojtarin nuk ka komentuar për këto raoprtime. Edhe agjencia spanjolle e tatimeve mohoi të komentojë mbi rastin.
Gjykatat në Spanjë kohëve të fundit kanë luftuar fshehjen e tatimeve edhe të futbollistët kryesorë.
Lionel Messi më parë ishte dënuar me 21 muaj burgim në vitin 2017 për një vepër të njëjtë, por sipas përcaktimit të ligjit spanjoll ai ka mundur të shndërrojë këtë kohë të burgut në një kaucion të cilin tashmë e ka paguar.
Mes viteve 2005 dhe 2010, lojtarët e huaj në Spanjë ishin mbrojtur nën ligjin e ashtuquajtur “Ligji i Beckhamit” duke u lejuar atyre që t’u shmangen taksave. Por, teksa kriza financiare u thellua, ky ligj u shfuqizua duke hapur rrugë për hetime të rasteve të evazionit fiskal te futbollistët më eminent të kohës.