Cristiano Ronaldo synon finalen e Champions League, paralajmëron Porton

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 08:10 | Nga Ekonomia Online

36-vjeçari i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ëndërron ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve me fanellën e “Zonjës së Vjetër”, për t’u bërë lojtari i vetëm që e fiton me tri klube të ndryshme.

Ai ka bërë një postim në rrjetet sociale para ndeshjes të mërkurën kundër skuadrës portugeze, Porto.

CR7 shpreson që ndeshja kundër Portos të jetë nisje për rrugën drejt finales së Ligës së Kampionëve.

“Nesër kemi një lojë shumë të rëndësishme kundër një ekipi shumë të fortë. Shpresoj se do të jetë një fillim i mbarë i rrugës për në finale. Respekt për kundërshtarin, por ambicia jonë është për fitore dhe 100 për qind jemi të përqendruar. Le të shkojmë, djema!”, ka shkruar Ronaldo në Twitter.

Ronaldo është golashënuesi më i mirë në histori të garës më të madhe evropiane për klube me 134 gola.

Këtë edicion, ai ka shënuar katër gola në Ligën e Kampionëve, aq sa kanë realizuar edhe shtatë futbollistë të tjerë, derisa tre kanë shënuar nga pesë gola dhe Rashford, Morata, Haaland e Neymar nga gjashtë gola – golashënuesit më të mirë deri tani.

Image
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme