Cuoci: Rajoni gati për paqe, ndikimi rus duhet verifikuar

Prishtinë | 14 Dhj 2017 | 08:03 | Nga

Komandanti i ri i forcës së NATO-s në Kosovë duket të ndihet mirë këtu. Ai sheh përparim të mirë të vendit, është i bindur se forca e tij është e gatshme të përballet me sfidat e mundshme; rajonin e sheh si të gatshëm për paqe, ndërsa kërcënimet e jashtme, si ai rus ashtu edhe prej ekstremizmit e radikalizmit fetar, nuk i duken të papërballueshme nga Kosova. Por e thekson se për çdo rast KFOR-i është ende këtu, dhe largimi i forcës nuk është ende në planet e NATO-s, meqë kushtet për një gjë të tillë nuk janë përmbushur ende.

Gjeneralmajori italian, Salvatore Cuoci, ka folur hapur në një intervistë me “Kohën Ditore” për vizionin e tij të mandatit që ka në krye të forcës paqeruajtëse, si dhe për çështjet me të cilat ai dhe forca e tij përballen. Ka thënë se transformimi i FSK-së në një ushtri është çështje politike dhe se vendimi u takon institucioneve të Kosovës, por ka theksuar se një gjë e tillë duhet bërë në mënyrë kushtetuese dhe duke ruajtur përbërjen multietnike të forcës.

I pyetur për ndikimin dhe praninë ruse në rajon, Cuoci nuk është shprehur i brengosur, duke thënë se aktivitetet ruse, nëse janë humanitare, nuk përbëjnë problem. Por ai ka theksuar se KFOR-i dhe NATO-ja do ta verifikojnë nëse prania e Moskës në fqinjësinë e Kosovës, para së gjithash në Serbi, shkon përtej aktiviteteve humanitare.

Cuoci ka lavdëruar Kosovën për luftimin e ekstremizmit, ndërsa ka theksuar se në rast trazirash në vend, KFOR-i i ka planet e gatshme për të ndihmuar institucionet e Kosovës që të përballen me çdo lloj problemi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme