Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) lansoi punimin “Gjendja e vullnetarizmit në Kosovë: Sfidat dhe perspektivat”. Punimi tregon që në Kosovë vullnetarizmi, tashmë pjesë e politikës publike, është në rritje përderisa më shumë se një e treta e shoqërisë, gjatë vitit të kaluar, kanë qenë të përfshirë në një aksion vullnetar. Sipas hulumtimit motivimi kryesor për vullnetarizëm është i ndërlidhtë me interesin publik. Po edhe në këtë fushë përfaqësimi jo i barabartë gjinor është i dukshëm, ku gratë vazhdojnë të jenë të nën-përfaqësuara në çështjet publike dhe ato të komunitetit.
Në fjalimin hapës të tij Ambasadori i Ambasadës Britanike në Kosovë, Ruairí O’Connell tha që esenca e kulturës politike lidhet me qytetarë, e në veçanti me qytetarë aktiv. Ai tregoi që vazhdimësia e inkubatorit të themeluar nga D4D, që përmban në vete afër 20 organizata të ndryshme, paraqet njërën nga mënyrat për të vazhduar zhvillimin e kulturës së vullnetarizmit. Zhvillimi i kulturës së vullnetarizmit nuk është një proces që përfundon shpejtë, dhe ndonëse mbeten shumë sfida, besoj në fuqinë e vullnetarëve për të zhvilluar kulturën e vullnetarizmit në Kosovë tha O’Connell.
Veton Mujaj, nga organizata Syri i Vizionit, pjesë e inkubatorit, tregoi që tema e vullnetarizmit në Kosovë është një temë shumë e patrajtuar, dhe përgjatë viteve të fundit jemi përpjek të ngjallim frymën e vullnetarizmit. Ai tregoi që hulumtimi i shpalosur nga D4D do të ndihmonte, ndër të tjera, në mënyrën e qasjes së vullnetarizmit. Vullnetarizmi është një aspekt horizontal dhe prek çdo lëmi të jetës tonë, dhe kontributi i secilit nga ne është i domosdoshëm për të arritur ngjalljen e frymës së vullnetarizmit.
Vjollca Krasniqi, autore e punimit, potencoi që është shumë me rëndësi që të ketë sinergji ndërmjet akterëve të ndryshëm për të zhvilluar kulturën e vullnetarizmit. Punimi, përmes anketave, diskutimeve në grup, dhe shqyrtimeve të politikave, ka arritur të identifikojë mundësitë dhe sfidat, dhe të jap rekomandime, tregoi znj. Krasniqi. Megjithëse ka pasur zhvillime pozitive në fushën e vullnetarizmit ende ka sfida si në kornizat sociale ashtu edhe në ato institucionale. Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa konkret duke hartuar ligjin për vullnetarizëm, zhvillojë strategji kombëtare gjithëpërfshirëse, dhe integrojë vullnetarizmin në strategji të arsimit në Kosovë. Përmes këtyre hapave Qeveria e Kosovës do të ndihmonte në krijimin e mundësive dhe incentivave për vullnetar/e, dhe të vendos vullnetarizmin si pjesë e politikave publike.
Shoqëria civile, duke pasur parasysh që është njëri nga akterët kryesor për vullnetarizëm në Kosovë, duhet të vazhdojnë përgaditjen dhe ofrimin e programeve të trajnimit mbi vullnetarizëm. Trajnimet duhet të jenë të hapura për publikun e gjerë, dhe duhet të ketë mbledhje, monitorim, dhe analizë sistematike të të dhënave. Platformat online të vullnetarizmit duhet të lejojnë regjistrimin e vullnetarëve edhe mbi moshën 25 vjeq. Të gjithë akterët, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, institucionet, dhe sektori i biznesit, duhet të promovojnë dhe të njohin vullnetarizmin. Shoqëria civile, sidomos ato organizata që angazhojnë vullnetar/e, duhet të synojnë të bëjnë rrjetëzim ndërkombëtar.