Daily Mail shkruan për vizitën e Rita Orës në Kosovë

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 09:12 | Nga Ekonomia Online

Gazeta britanike “Daily Mail” ka shkruar për vizitën në mision të UNICEF-it të këngëtares së njohur me prejardhje shqiptare Rita Ora në Kosovë.

Në këtë artikull përmendet edhe vizita e befasishme që Rita Ora u ka bërë dje shumë të rinjve që po merrnin pjesë në një ngjarje të organizuar nga UNICEF-i.

“28 vjeçarja, ikona britanike, që ka qenë një aktiviste e bamirësisë globale qysh nga viti 2013 ka befasuar më shumë se 400 fëmijë në një ngjarje në Prishtinë të mërkurën, gjatë vizitës së saj në Kosovë”.

“Daily Mail” shkruan edhe për rrugëtimin e Rita Orës dhe familjes së saj prej Kosovës në Britani të Madhe.

“Këngëtarja britanike që është larguar nga Kosova në moshën njëvjeçare ka udhëtuar në Kosovë për të takuar të rinjtë që janë ndihmuar nga shoqatat bamirëse”.

Prestigjiozja britanike ka cituar edhe se çfarë ka thënë Rita Ora për vizitën në vendlindjen e saj.

“Jam shumë e lumtur që jam kthyer në Kosovë derisa jam e nderuar që po takoj fëmijë dhe familje që po mbështeten nga UNICEF-i. Ky është udhëtimi im i parë me UNICEF-in dhe të shoh se si programet e këtij misioni kanë ndikuar pozitivisht në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve duke na bërë të kuptojmë se sa e rëndësishme është ta mbështesim UNICEF-in”.

“Nuk mund të pres t’iu tregoj të gjithëve për gjithë punën që kam parë këtu, njerëzit që kam takuar dhe pse jam kaq krenare që jam përfshirë në këtë program të UNICEF-it këtë vit”.

Kjo gazetë shkruan po ashtu edhe për të gjitha aktivitetet tjera që këngëtarja e shumë hiteve botërore i ka bërë gjatë vizitës në Kosovë, në kuadër të misionit të UNICEF-it.

Të ngjashme