Kroacia zhvilloi një ndeshje të mrekullueshme në përballjen me Argjentinën, e dyta në grupin D të Botërorit të Rusisë, duke i dhënë një leksion të mirë futbolli skuadrës nënkampione të botës, të cilën e poshtëroi me rezultatin 3-0.
Padyshim, meritë të madhe në këtë paraqitje fantastike të Kroacisë ka edhe trajneri Zlatko Daliç.
Daliç, që kishte në duart e tij skuadrën U21 të Kroacisë përpara se të merrte drejtimin e ekipit të parë të shtetit ballkanas, është një emër i njohur edhe në futbollin shqiptar.
52-vjeçari ka qenë trajner i Dinamos në sezonin 2008-2009, kur zëvendësoi Artan Mërgjyshin, duke fituar Superkupën e Shqipërisë teksa mundi Vllazninë në finale me rezultatin 2-0.
Aventura e Daliç në klubin kryeqytetas zgjati vetëm një sezon, edhe pse kontrata e tij ishte dyvjeçare. Kjo, sepse Daliç u shkarkua në fillimin e sezonit pasardhës, pas dy humbjeve të para në kampionat, duke ia lënë vendin Shkëlqim Muçës.
Etapa te Dinamo e Tiranës sigurisht e ndihmoi atë që të fitojë eksperiencë në karrierën e tij si trajner, e Daliç po e tregon këtë edhe në Kupën e Botës, në ngjarjen më të madhe të futbollit botëror.