Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PSD, Dardan Molliqaj ka reaguar lidhur me ndërprerjen e punimeve të rrugën Deçan-Plavë.
Molliqaj ka thënë se rruga Deçan-Plavë është rrugë me interes nacional për shkak se e zhvillon turizmin në Grykën e Deçanit dhe e lidhë Kosovën me Malin e Zi.
“Fatkeqësisht, punimet në këtë rrugë sot janë ndërprerë nga Manastiri i Deçanit i cili vazhdimisht zbaton urdhrat e Beogradit duke e pamundësuar kështu zhvillimin e këtij qyteti, i cili është ndër qytetet më të varfra në Kosovë”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Po ashtu deputeti ka thënë se bllokimi i punimeve në këtë rrugë është cenim i lirisë së lëvizjes së qytetarëve.
“Shpresoj që Qeveria e Kosovës do t’i vazhdojë punimet pavarësisht pengesave të politikave fashiste të Serbisë”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.