Një numër i madh njerëzish viziton çdo ditë ndërtesën e Bundestagut gjerman në Berlin. Në këtë ditë Shtatori, grumbullit të këtyre njerëzve ju shtua edhe një delegacion i shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane „Dardania“ nga Bambergu. Në krye të këtij grupi ishte Kryetari i shoqatës Florim Gashi, së bashku më nënën e tij e cila kishte ardhur për vizitë nga Kosova.
Kjo vizitë nuk ishte e zakonshme. Një ditë më parë Dardanët nga Bambergu sfiduan ekipin e futbollit të Bundestagut gjerman dhe me paraqitjen e tyre, jo vetëm në fushën e gjelbër por edhe në ndejën e organizuar mbas loje, fituan simpatinë e rreth 30 politikanëve të pranishëm gjermanë, transmeton Klan Kosova.
Historia e Florim Gashit dhe familjes së tij është e lidhur ngushtë me qytetin e bukur bavarez Bamberg ku Gashi erdhi të jetoj në vitin 1992. Gjatë luftës, anëtarët e familjes së tij u transferuan me një aeroplan të ushtrisë gjermane në Gjermani dhe për gjashtë muaj ata do të qëndrojnë në Bamberg si refugjatë.
Familja Gashi kthehet në Kosovë por Florimi vazhdon qëndrimin në qytetin ku ndërkohë ishte integruar mirë dhe ku sot është një ndër personalitetet më të vyeshme të këtij qyteti në integrimin e të huajve. Edhe në valën e fundit të refugjatëve shqiptarë që erdhën në Gjermani, angazhimi i tij dhe shoqatës shumë aktive “Dardania” ishte i madh.
Përvoja e tij dhe e familjes së tij por edhe ajo e refugjatëve shqiptarë të viteve të fundit me mikpritjen gjermane, e shtynë atë që të gjej një mënyrë të veçantë ti falënderohet shtetit gjerman.
Ai mblodhi një grup shqiptarësh nga Bambergu dhe rrethina por edhe nga viset tjera gjermane e gjithashtu edhe politikanë lokal të Bambergut dhe sfiduan në fushën e futbollit një ekip prej rreth 30 anëtarësh të Bundestagut.
Pas lojës së futbollit, politikanët gjermanë fituan me rezultat 6:3, aspekti sportiv i së cilës nuk kishte rëndësi, u organizua një mbrëmje e përbashkët ku nuk munguan tingujt shqip e as ushqimet shqiptare. Biseda të shumta u zhvilluan në këtë mbrëmje. “Integrimi mund të arrihet edhe pa humbur identitetin. Më së miri nëpërmjet arsimit, sportit, dhe kulturës” shprehet i kënaqur për vizitën e qëlluar Kryetari Gashi. Në fjalimin e tij falënderues ai nuk harroi të përmend dhe problemin e udhëtimit pa viza të shtetasve të Kosovës dhe apeloi te politikanët gjermanë që në këtë drejtim të përkrahin Kosovën si pjesë e Evropës. Po ashtu edhe perspektiva e Kosovës dhe Shqipërisë ishte temë bisedash pas të cilave Gashi shpreson se si pjesë e BE-së, një ditë nëna e tij si nënshtetase kosovare të mund të vizitoj atë kur të ka dëshire dhe pa vizë.
“Ambasadori i integrimit” si quhet shpesh Florim Gashi në shtypin gjerman foli edhe për integrimin e shkëlqyeshëm të komunitetit shqiptar në Bamberg.
Të nesërmen 35 anëtarët e shoqatës Dardania ishin të ftuar në Ministrinë e Mbrojtjes ku u pritën nga Sekretari i Shtetit Thomas Silberhorn për të vazhduar me vizitën e Bundestagut që rrumbullakoi këtë udhëtim të jashtëzakonshëm kryeqytetit gjerman.
Me muaj të tërë kishin punuar Gashi me kolegët e tij për të realizuar këtë udhëtim. Ai nuk fsheh zhgënjimin për mungesën e përkrahjes së duhur institucionale nga Kosova. Të ftuar në këtë takim ishin edhe politikanë nga të gjitha partitë politike në Kosovë. Përpos dy politikanëve të LVV, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca , Kurti ishte edhe pjesë e ekipit të futbollit, politikanët tjerë shkëlqyen me mospraninë e tyre duke humbur kështu një rast të rrallë të ulen bashkë me rreth 30 kolegë të tyre gjermanë në një atmosferë miqësore.
“Mbi 20 vite referoj lojërat e FC Bundestagut por asnjë lojë nuk më ka lënë përshtypje më të mirë se kjo lojë sot. Kjo mikpritje e bashkëqytetarëve tanë shqiptaro-kosovar është e jashtëzakonshme“ falënderohej i emocionuar referi Dieter Reichel. Ky falënderim ndoshta më së miri tregon atmosferën e këtij takimi shqiptaro-gjerman në Berlin.