Ka bërë jehonë në vend një lajm i publikuar në orët e mbrëmjes të së martës në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës. “Kosova fiton kundër Anglisë në ‘Roma Caput Mundi'”, ishte titulli i shkrimit.
Bëhet fjalë për një fitore që përfaqësuesja U-19 e Kosovës në futboll, e përbërë vetëm nga lojtarë të klubeve të vendit, e shënoi të martën në një turne ndërkombëtar që po mbahet në Itali, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova fitoi 3:1 dhe përballë kishte lojtarë anglezë. Por jo lojtarë të përfaqësueses së Anglisë.
Është ekipi përfaqësues i kolegjeve të Anglisë që po merr pjesë në turneun amator “Roma Caput Mundi”, që po mbahet në Romë. Dhe ky ekip është përballur të martën me Kosovën dhe ka pësuar me shifrat 3:1. Pra, nuk bëhet fjalë për përfaqësuesen e vërtetë të Anglisë.
“Pas barazimit me Lazion në kohën e rregullt dhe më pas humbjes në serinë e penalltive, djelmoshat e drejtuar nga Ramiz Krasniqi kanë pasur një paraqitje shumë të mirë në përballje me Anglinë, duke fituar me rezultatin 3:1. Golat për Kosovën i shënuan Muhamet Hyseni, Albin Prapashtica dhe Adonis Aliu”, thuhet në njoftimin e FFK-së.