Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, foli për “Supersport” nga hoteli pas humbjes së pësuar në miqësoren ndaj Luksemburgut. Ai ia vendos fajin kryesor mungesës së motivimit në grupin e lojtarëve, diçka që sipas tij ka munguar që pas përfundimit të Europianit.
“Një humbje që peshon shumë ndaj një skuadre që ka më pak cilësi se ne, por me ndryshimin që ka më shumë dëshirë se ne për të luftuar, për të kërkuar rezultat, karakteristika që ne i kishim për dy vite e gjysmë deri në Europian. Pas Europianit, skuadra nuk gjeti atë dëshirë për të luftuar dhe për të arritur objektivat.”
A po i përgjigjet më kjo skuadër?
“Skuadra është e imja. Skuadra duhet të japë më shumë nga pikëpamja e vullnetit, për të ndihmuar në fushë. Ishim në avantazh, kishim 2-3 raste që në fillim të ndeshjes. Ishte edhe një karton i kuq ndaj Cikalleshit, që gjyqtari tha se është miqësore dhe prandaj nuk e dha. Kur je në avantazh duhet menaxhuar me mirë situata, kemi bërë disa pakujdesi të tmerrshme, janë gjëra që duhen përmirësuar. Skuadra më përpara tregoi se kishte cilësi të tjera nga pikëpamja e grintës, përkushtimit dhe ndihmës në fushë për njëri-tjetrin.”
A arrin më De Biasi ta motivojë skuadrën?
“Këtë skuadër, një trajner që erdhi nga Italia, e bëri të mendonte që ëndrrat ishin të mundura, e bindi që mund të fluturonte, aq sa fluturoi në Europian. Mendoj se sot kjo skuadër duhet të gjejë brenda vetes, jo te dikush këtë motivim, se janë të rritur. E kuptoj që janë disa që nuk luajnë shumë, nuk bëjnë ndeshje. Por brenda grupit duhet gjetur forca në mënyra të ndryshme, duke filluar nga e diela në Izrael.”
Çfarë mund të ndryshojë në një javë për përballjen me Izraelin?
“Do të shkojmë në meshë! Do të mundohemi të punojmë, meqë kishim pak kohë në dispozicion. Erdhëm në momentin e fundit këtu, se shumë lojtarë ishin të impenjuar me ekipet e tyre. Disa kanë ardhur vetëm 48 më parë, bëra stafetë sot mes Cikalleshit dhe Sadikut për këtë arsye. Të tjerë nuk i kemi, do t’i marrim në Stamboll. Mendoj se ky është problem. Por në thelb, një skuadër si e jona ndaj Luksemburgut duhet të fitojë, të bëjë golin e dytë. I dhuruam të parin, fjetëm te goli i dytë në një mbulim në zonë në goditje standarde”.