Debat i ashpër për Projektligjin e Demarkacionit

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 11:30 | Nga

Komisioni për Punë të Jashtme është duke shqyrtuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në të cilin ka ngjallur reagime e kundërshti ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Deputetët e opozitës edhe njëherë kanë përsëritur qëndrimin e tyre kundër ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Puhie Demaku ka thënë se është për keqardhje që Qeveria e Kosovës përkundër kundërshtimeve e dërgoi në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas saj janë tri arsye pse duhet që marrëveshja për Demarkacionin kufitar me Malin e Zi të vazhdojë të kundërshtohet fuqishëm.

“E para, nënshkrimi i 25 qershorit, kur Qeveria ka shkelur Kushtetutën, e dyta është nënshkrimi i peticionit me 200 mijë nënshkrime nga ana e qytetarëve dhe e treta është tryeza e 3 gushtit”, ka thënë Demaku.

Sipas saj, ky projektligj do të duhet t’i kthehej mbrapa qeverisë pasi kanë arsye dhe fakte të rëndësishme që kjo marrëveshje nuk duhet të kalojë.

Edh shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se çdo procedim i Projektligjit për marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi është në kundërshtim me të gjitha ligjet e Kosovës. Sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës të zgjedhur me votën e qytetarit, duhet që t’i thonë fuqishëm “jo” kësaj marrëveshje, të cilën e quajti të dëmshme për vendin.

“Dihet me çfarë kritere ka punuar komisioni, nuk ka marrë për bazë kriterin kadastral. Kanë shkuar me kriterin më të dobët të mundshëm. Çdo procedim i ligjit në Parlament është në kundërshtim me të gjitha ligjet e Kosovës. Në bazë të Nenit 2 të ligjit jeni munduar t’u hidhni hi deputetëve dhe pas miratimit të marrëveshjes nuk do të mund të bëni me ndryshime. Ne i themi jo kësaj marrëveshje e cila lenë një trashëgimi të keqe për qytetarët”.

“Më mirë është të mos ratifikohet kjo marrëveshje, se sa të ratifikohet dhe të krijon mundësinë e një konflikti në mes Kosovës e Malit të Zi. E vetmja zgjidhje për të filluar një epokë të re është që deputetët duhet t’i thonë jo kësaj marrëveshje”, tha Lekaj.

Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën tha se duhet të merren parasysh të gjitha ato ngjarje që ka kaluar Kosova për një vit. Ai përsëriti se kjo marrëveshje nuk do të mund të kaloj në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, Ismet Beqiri nga LDK ka thënë se takimi për ratifikimin e Demarkacionit është dashur të mbahet më herët.

“Kjo nuk ka ndodhur, por tash pas një viti po ndodhë dhe për mua ka qenë të shihet nga baza ligjore, në kuadër të asaj nëse ka shkelje ligjore. Unë nuk shoh shkelje ligjore. Si grup i parlamentar i LDK rekomandoj që ta kalojmë në votim dhe ta dërgojmë në Kuvend”, ka thënë Beqiri.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se duke pasur parasysh që kjo çështje është mjaft e dëmshme, është dashur të jetë përfaqësuesi i qeverisë në komision.

“Qeveria me nguti thirri mbledhje për të proceduar marrëveshjen pa i marrë parasysh faktet e debatit. Shqetësuese është se deputetët janë shndërruar në makinë votimi të qeverisë që kjo çështje shumë e rëndësishme të kalojë me aq lehtësi. Kjo marrëveshje që po shqyrtohet në këtë kuptim, me kaq nguti është e dëmshme”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës po e provokon situatën me “këtë arrogancë”.

“Si Vetëvendosje nuk e përkrahim këtë marrëveshje. Ky është paralajmërim”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa, Ismet Beqiri, ka thënë se me deputetë që fyejnë nuk dëshiron të diskutojë.

“Nuk du ta qoj kot kohën, e tillë është edhe kjo (deputetja Albulena Haxhiu), ka thënë Beqiri, derisa fjalimin ia ka ndërpre deputetja duke thënë, “Po të paralajmëroi se ke me pa edhe vet”.

Ndërsa Beqiri ka theksuar se ”po shihet në çfarë niveli ka rënë debati, nuk dua të vazhdojë në këtë mënyrë”.

Ilmi Reçica nga PDK tha se çështja e demarkacionit ka hyrë në një fazë delikate, dhe se u shoqërua edhe me protestë të organizuar nga opozita.

Reçica tha se pala malazeze ka kryer punën e saj, ndërsa pala kosovare ende është në fillim.

Të ngjashme