Dëbohet nga diskoteka në Austri, 23 vjeçari kosovar gjuan shishen me benzinë në hyrje të lokalit

Prishtinë | 06 Pri 2022 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Një incident i rrezikshëm ka ndodhur të dielën në hyrje të një diskoteke në Vösendorf në Austri, ku një djalë me prejardhje nga Kosova, thuhet se i ka vënë flakën një shisheje me benzinë si revoltë ndaj dëbimit që iu bë.

23-vjeçari kosovar, banues në Vjenë, raportohet se ka mbushur një shishe plastike me benzinë, më pas i ka vënë flakën dhe e ka hedhur në hyrje të klubit të natës. Menjëherë pas kësaj, i dyshuari ka ikur në drejtim të panjohur, bëjnë të ditur mediat austriake.

Sulmi shkaktoi zjarr, por u shua shpejt nga zjarrfikësit, të cilët erdhën menjëherë në vendin e ngjarjes. 30 personat që ndodheshin në lokal, kanë shpëtuar pa lëndime.

Pak minuta më vonë i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar. Autoritetet policore austriake gjetën në veturën e tij një sasi të vogël kokaine.

Arsyeja e ngjarjes nuk është bërë e ditur. Megjithatë, supozohet se kosovari ishte dëbuar më parë nga ai lokal.

Për gazetën heute.at, policia ka njoftuar se i dyshuari deri më tani ka refuzuar të japë deklaratë dhe aktualisht po mbahet në burgun e Wiener Neustadt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme