Ideja e Shqipërisë së madhe është një ide me të cilën preokupohet udhëheqja e Serbisë. Kështu i ka thënë gazetës së përditshme të Beogradit, “Danas”, Ilir Deda, njëri nga themeluesit e iniciativës Alternativa, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, që mbahen më 11 qershor.
Këtë përgjigje ai e dha në pyetjen se sa është e pranishme në Kosovë ideja e Shqipërisë së madhe dhe sa janë rrënjët e saj ndër qytetarë.
Ai pasi u është përgjigjur interesimeve rreth orientimeve të programit të Alternativës si dhe pritshmërisë nga zgjedhjet e 11 qershorit për Kosovën dhe qytetarët e saj, pyetjes se si i komenton deklaratat e Ramush Haradinajt, Deda ka thënë:
“Udhëheqja e Serbisë duhet të merret me problemet e qytetarëve të Serbisë, por në pamundësi që të prezantojë rezultate ajo ngre temperaturën politike. Kjo është një politikë tashmë e parë në Serbi”.
Ndërsa për problemin që shtron Aleksandar Vuçiq mbi planet e krijimit të Shqipërisë së madhe, Deda është përgjigjur se Vuçiq shpesh vetë i shpik temat dhe u jep atyre përgjigje. Ky është një marketing politik i njerëzve dhe i partizanëve që kanë luftuar për Serbinë e madhe.
Në Serbi autoritetet e pushtetit dhe mediet e regjimit përhapin frikën nga mundësia që Haradinaj ose Veseli të bëhen kryeministra. A ka arsye për drojë? – e pyeti “Danas” Ilir Dedën.
“Proceset demokratike në Kosovë janë çështje e brendshme të Republikës së Kosovës, ndërsa se kush do të jetë fitues, varet ekskluzivisht nga vullneti i qytetarëve. Në Ballkanin Perëndimor është vendosur politika e përfshirjes në BE dhe secili shtet e ka për detyrë që t’i përfillë rregullat e miratuara të saj”.
Deda është shprehur për ndryshime në formën e përmbajtjen e dialogut të Brukselit, i cili në vend se të finalizohet ka prodhuar një status quo në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Ne duhet me më shumë ambicie t’i përkushtohemi asaj që sa më parë të jetë e mundur të finalizojmë marrëveshjen detyruese ndërkombëtarisht e juridikisht për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, të zgjidhim çështjen e personave të zhdukur, të pensioneve, çdo gjë në kuadër të kritereve të Kopenhagës dhe në përputhje me detyrimet që dalin nga MSA-ja si dhe të kritereve të domosdoshme për aderim në Bashkimin Europian”, thuhet në shkrimin e kësaj gazete.