Shefja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës për dëshmi në rastin e ish-Kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ky i fundit, përmes manipulimeve me tenderë akuzohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës rreth 37 milionë euro.
Më 15 janar të vitit 2026, në seancën e mbajtur në Prishtinë, prokurorja Fikrie Zejnullahu, deklaronte se ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe për “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, kishte dërguar referenca për projekte Dejona Mihalit, e cila zyrtarisht në Lëvizjen Vetëvendosje (VV) mban pozitën e Koordinatores së Komiteteve të kësaj partie.
“Edhe për komunikimet mes të akuzuarit Nagip Krasniqi dhe disa nga zyrtarët e partisë në pushtet, Vetëvendosje, në përgjithësi e në veçanti me Dejona Mihalin, si përfaqësuese e partisë dhe person jozyrtar, kishte komunikime të shpeshta. Jo vetëm kaq, por i akuzuari Krasniqi i dërgonte referenca dhe projekte, të cilat në mënyrë të kundërligjshme ishin të pajisura me autorizim nga i akuzuari, i cili jepte edhe opinione”, tha Zejnullahu.
Prokurorja Zejnullahu theksoi se gjatë gjykimit do të paraqiten prova, përfshirë biseda, komunikime dhe opinione, duke nënvizuar se këto prova do të dëshmojnë se KEK-u dhe Qeveria e Kosovës janë dëmtuar në vlerë prej 37 milionë eurosh.
Ndërkaq, gjatë fjalës hyrëse, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të, duke e konsideruar aktakuzën ndaj tij si tendencioze.