Deklarata e ministres serbe, DASh: Udhëheqësit politikë në Ballkan të përdorin gjuhë konstruktive

WASHINGTON, DC - SEPTEMBER 12: A sign stand outside the U.S. State Department September 12, 2012 in Washington, DC. U.S. Ambassador to Libya J. Christopher Stevens and three other Americans were killed in an attack on the U.S. Consulate in Benghazi, Libya. (Photo by Alex Wong/Getty Images)
Prishtinë | 17 Kor 2026 | 18:48 | Nga Ekonomia Online

Deklarata skandaloze e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, për spastrim etnik në Kosovë, ka nxitur reagime gjithandej.

Për rastin ka reaguar edhe ShBA-ja, ku një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se prioritet i tyre në Ballkanin Perëndimor është paqja dhe se në kuadër të kësaj, normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi është i domosdoshëm.

Tutje, në këtë përgjigje, Uashtingtoni zyrtar thotë se inkurajon udhëheqësit politik që të përdorin gjuhë që i ndihmon këtij synimi.

“Prioriteti i ShBA-së në Ballkanin Perëndimor është paqja dhe stabiliteti. Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është një pjesë e domosdoshme e kësaj. Ne i inkurajojmë udhëheqësit politikë të përdorin gjuhë konstruktive për të çuar përpara këtë qëllim me mirëbesim”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit për Klankososova.

Për rastin ka reaguar edhe Britania e Madhe, e cila deklaratat e Paunoviqit i ka konsideruar “të neveritshme”.

“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat e saj për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë plotësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, është në reagimin e MPJ-së britanike, përmes Ambasadës së saj në Prishtinë.

Reagime ka pasur edhe nga Marta Kos, komisionerja për Zgjerim e BE-së, e cila ka thënë se pret që pas një deklarate të tillë “të tmerrshme”, Paunoviq të mos jetë më në detyrë. 

Të ngjashme