Deklaratat e LVV-së për komisionet hetimore, përpjekje për të fshehur sabotimin e hetimeve mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin

Prishtinë | 09 Nën 2024 | 18:11 | Nga Hisen Berisha

Deklaratat e përfaqësuesve të LVV lidhur me hetimin parlamentar për blerjen e teksteve shkollore etj, janë një përpjekje për të kamufluar sabotimin sistematik që ata dhe partia e tyre i kanë bërë të gjitha komisioneve hetimore parlamentare, veçanërisht për çështjet që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Sabotimet e tyre përfshijnë afera madhore, si manipulimet në menaxhimin e rezervave shtetërore, abuzimet në sektorin e energjisë, dhe ndërhyrjet në politikën e jashtme. Për më tepër, ata kanë penguar seancat e jashtëzakonshme për hetimin e përgjimeve dhe komunikimeve të fshehta me Serbinë, duke ndihmuar koordinimin e politikës qeveritare dhe të agjendës ligjore me Beogradin përmes individëve në listën e zezë të SHBA-së.

Këto përpjekje për sabotim shtrihen edhe në fushën e sigurisë, ku kanë minuar funksionimin e shërbimeve logjistike në ushtri dhe kanë ndikuar në çështje të tjera të rëndësishme të qeverisjes, duke dëmtuar rëndë institucionet dhe zhvillimin e vendit.

Ndërkohë, Komisioni Hetimor për Tekste Shkollore vazhdon të punojë në përputhje të plotë me Ligjin për Hetim Parlamentar, dhe jo me Rregulloren e Kuvendit, siç pretendojnë këta përfaqësues. Në vend që të dezinformojnë publikun dhe të hedhin akuza të pabaza, përfaqësuesit e LVV-së duhet të japin llogari për sabotimet e tyre të vazhdueshme dhe për përpjekjet për të devijuar vëmendjen nga keqqeverisja e tyre dhe dështimet e shumta në menaxhimin e çështjeve të rëndësishme për Kosovën. Për më tepë, besueshmëria e këtyre zyrtarëve është seriozisht e cenueshme.

Mbi këta zyrtarë rendojnë vepra për të cilat edhe janë dënuar, si krimi i organizuar dhe korrupsion në procesin e akreditimit të programeve mësimore dhe studimore. Përfshirja në çështje të tjera që kanë vënë në dyshim integritetin moral e profesional, për çka janë trajtuar nga Policia për abuzim të substancave që ulin aftësitë e vlerësimit të zakonshëm, veçanërisht në situata që kërkojnë një qëndrim të matur dhe profesional.

Të ngjashme