Deklaratë e grupit të studentëve praktikantë në Komunën e Prishtinës

Prishtinë | 22 Gus 2016 | 16:49 | Nga

Publikimi i listave me emrat e disa nga militantët e Lëvizjes Vetëvendosje që kinse janë punësuar në Komunën e Prishtinës me kontratë mbi vepër, ka bërë që këta punëtorë të reagojnë dhe të quajnë shpifje këto akuza, dhe duke thënë se janë studenta dhe që nuk janë militantë partiak.

Kështu, këta punëtorë përmes një komunikatë për medie kanë reaguar ndaj disa lajmit që kinse këta janë punësuar në Komunën e Prishtinës me kontrata mbi vepër.

Ky është reagimi i tyre i plotë: 

Me anë të kësaj letre, duam të bëjmë sqarime rreth “lajmit” të portalit “Gazeta Express” (http://www.gazetaexpress.com/lajme/keta-jane-disa-nga-militantet-e-vetevendosjes-qe-u-punesuan- ne-komunen-e-prishtines-foto-dokument-242372/ ), në ballinën e së cilës gjendet fotografia jonë e përbashkët me Kryetarin e Komunës dhe me anë të së cilës portali në fjalë akuzon kryetarin kinse ka punësuar me kontratë mbi vepër militantët e partisë së cilës i përket.

Ne, grupi i praktikantëve, duam të deklarojmë që nuk kemi qenë ndonjëherë dhe nuk jemi militantë të kësaj Partie, por jemi studentë ose të porsa-diplomuar në fusha të ndryshme, të përzgjedhur si praktikantë në bazë të një konkursi të hapur me datë 19.01.2016 në webfaqen e Komunës së Prishtinës: https://kk.rks-gov.net/prishtina/getattachment/535547c6-e970-4514-b27b-9f72423cf14f/Konkurs-per- praktike—Sektori-i-Planifikimit.aspx

E gjithë puna jonë bëhet në bazë vullnetare duke i kontribuar jo vetëm Komunës, por edhe mbarë komunitetit që jeton dhe vepron në Komunën e Prishtinës.

Themi në bazë vullnetare sepse të gjithë anëtarët e grupit janë të paktën Bachelor, por ka edhe Master Shkencor, që kanë punuar pa pagesë në dhe për Komunën e Prishtinës. Puna jonë konsiston në krijimin e materialit bazë për Hartën Zonale të Komunës së Prishtinës dhe është ndër punët më të mëdha që është organizuar ndonjëherë nga ndonjëra prej Komunave të Kosovës dhe e gjithë kjo punë po kryhet pa pagesë!

Shprehim keqardhje dhe jemi shumë të revoltuar për mediat të cilat për klikime bëjnë lajme kaq të pavërteta!

Të gjithë praktikantët e pranuar me këtë konkurs, në tre muajt e parë kemi punuar pa asnjë lloj pagese, ndërsa nga muaji i katërt, disa organizata ndërkombëtare, për shkak të punës së rëndësishme që kryhet nga ana jonë i kanë ardhur në ndihmë Komunës së Prishtinës, duke na siguruar një pagesë prej 150 eurosh me të cilën na mbulohen shpenzimet minimale për ushqim.

Për herë të parë në eksperiencën tonë profesionale kemi qenë pjesë e një konkursi, ku që nga momenti i pranimit e deri më tani nuk është intervenuar në asnjë rast dhe ka qenë tërësisht TRANSPARENTE. Prandaj jemi shumë të revoltuar që disa media e barazojnë këtë vepër tonën me atë të disa klaneve, të cilat po i dëgjojmë në vazhdimësi se si i kanë bërë punësimet në institucionet shtetërore.

Është për të ardhur keq se si të rinjtë e këtij vendi të cilët duan që ta mësojnë e ushtrojnë profesionin e tyre, ngjyrosen politikisht pa qenë të tillë. Në vend se të inkurajohemi për punën e palodhshme dhe të pa rezervë në një institucion shtetëror, lajme të tilla të pavërteta janë trishtuese dhe demotivuese për të rinjtë si ne.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme