Deklarohet Jurgen Klopp, pas eliminimit të Liverpoolit nga Liga e Kampionëve

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 09:02 | Nga Ekonomia Online

Jurgen Klopp ka thënë se është e rëndësishme që Liverpooli të rikthehet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm duke e zënë një vend në top katërshe të Premierligës, pasi u eliminua nga gara e sivjetshme pas humbjes kundër Real Madridit në çerekfinale.

Liverpooli e kishte humbur 3:1 ndeshjen e parë në Madrid dhe në ndeshjen e kthimit mbrëmë në Anfield krijoi raste të panumërta, por dështoi ta gjejë rrjetën e portës kundërshtare.

Real Madridi ia doli ta sigurojë një vend në gjysmëfinale falë fitores në shtëpi dhe barazimit në udhëtim.

Ky rezultat nënkupton se Liverpooli do ta mbyllë sezonin 2020/21 pa asnjë trofe, por ende ka mundësi ta sigurojë një vend në top katërshe të Premierligës dhe të rikthehet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Kur kanë mbetur vetëm shtatë ndeshje deri në fund të kampionatit, Klopp këmbënguli se skuadra e tij është e gatshme të luftojë deri në fund për një vend në Champions.

I pyetur nëse paraqitja ndaj Real Madridit do t’i japë vetëbesim skuadrës së tij për ta siguruar një vend në top katërshe, Klopp tha: “Kjo nuk ka asgjë të bëjë me vetëbesimin, do të thosha se kam vetëbesim natyral, por kjo nuk do të thotë se do ta sigurojmë një vend aty”.

“Ne duhet të vazhdojmë të luftojmë, ne duam të jemi në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm por në këtë çast ne ende duhet të fitojmë më shumë pikë se shumë ekipe të tjera.

“Ne e duam këtë garë prandaj është e rëndësishme të rikthehemi në të”, shtoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme